Sinoptikania e Shërbimit Meteorologjik Ushtarak, Besa Sherollari, ishte sot në një lidhje të drejtpërdrejtë televizive, ku bëri parashikimin e motit për fundjavën dhe javën e ardhshme.
Sherollari tha se si në fundjavë ashtu dhe në fillimin e javës që vjen, priten që masat ajrore të paqëndrueshme të ndikojnë në të gjithë territorin. Gjithashtu paralajmëroi për reshje shiu.
Të lidhura
None found
“Fundjava por edhe fillimi i javës pritet që të qëndrojë në të njëjtat kushte metereologjike. Masat ajrore të paqëndrueshme do të ndikojnë gjatë gjithë këtyre ditëve. Reshjet e shiut do jenë prezente pothuajse në gjithë territorin.
Ditën e shtunë, reshjet priten të jenë prezente që në orët e para të 24 orëshit, deri në orët e mëngjesit, në pjesën më të madhe të territorit. Gradualisht reshjet e shiut do të humbasin intensitet dhe territor duke u lokalizuar deri në orët e pasdites në veri të vendit, për t’u ndërprerë në orët e mbrëmjes në të gjithë territorin.
Ditën e diel, reshjet e shiut pritet të bëhen prezente në orët e mesditës, fillimisht përgjatë vijës bregdetare dhe gradualisht do të shtrihen dhe në pjesën tjetër të territorit. Fillimisht reshjet do të jenë me intensitet të ulët, por në orët e vona të mbrëmjes pritet që në veri-perëndim hera herës të jenë me intensitet deri mesatar.
Edhe dita e hënë do të mbetet në ndikimin e këtyre masave ajrore, reshjet e shiut do të jenë prezente që në orët e para të 24 orëshit, në pjesën më të madhe të territorit, në veri-perëndim dhe kryesisht në qendër hera-herës reshjet priten të jenë me intensitet deri mesatar në formën e shtrëngatave dhe shoqëruar me shkarkesa elektrike. Ndërsa jugu pritet të ketë reshje shiu me intensitet kryesisht të ulët. Kjo situatë do të jetë deri në orët e mbrëmjes dhe më pas ne presim ndërprerje të reshjeve të shiut.
Por ditën e hënë, kryesisht pas mesdite, ne presim rikthimin e reshjeve të borës, e cila do të jetë kryesisht në veri dhe verilindje të vendit, ku në lartësitë 1200-1400 metra do jenë reshje në intensitet të ulët.
Ditën e martë dhe të mërkurë presim një ndryshim të kushteve meteorologjike. Masat ajrore të qëndrueshme do të sjellin mot kryesisht të kthjellët dhe vranësira të pakta kalimtare. Vlen për tu theksuar rënia e ndjeshme e temperaturave, ku do të ndihet më shumë ditën e martë rreth mesditës, por edhe të mërkurën, si në vlerat minimale ashtu dhe maksimale.
Nëse për fundjavën presim temperatura kryesisht në zonat e ulëta dhe bregdetare të shkojnë deri në 20 gradë Celsius, ditën e mërkurë nuk presim që termometri në orët e mesditës të kalojë vlerat 13-14 gradë Celsius. Ndërsa në zonat malore priten që temperaturat në vlerat minimale të shkojnë deri në zero gradë Celsius”, tha sinoptikania Sherollari.





