Shuhet në moshën 92-vjeçare një nga figurat më të shquara të artit dhe qytetarisë durrsake.
Artisti i Popullit Gjergj Vlashi u largua nga kjo jetë duke lënë në pikëllim të gjithë ata që e njohën dhe komunitetin artistik shqiptar. Regjisor, shkrimtar dhe përkthyes i njohur Vlashi me punën e palodhur la gjurmë të pashlyera në estradën, teatrin, përkthimin artistik dhe letrat shqipe.
Vlashi njihet si themeluesi i varietesë shqiptare. Ai lindi më 13 korrik 1928 dhe është nderuar me tituj të ndryshëm për kontributin e tij të çmuar artistik që kulmuan me titullin ”Nderi i Kombit”. Edhe pas daljes në pension ai nuk u tërhoq nga krijimtaria skenike dhe artistike. Autor i dhjetra librave, romane të tij dhe përkthime të autorëve të njohur botërorë, si dhe regjisor i shumë shfaqjeve, Gjergj Vlashi, apo Xhoxhi siç e njihnin të gjithë, jetoi cilësisht deri në fund të rrugëtimit të vet jetësor duke ofruar shembullin më të mirë të njeriut, qytetarit dhe artistit të angazhuar, pavarësisht moshës.
Njohës i disa gjuhëve të huaja, ai shqipëroi që në fillim të viteve ’90 autorë të njohur si Franc Kafka, Jose Saramago, Agata Kristi, Dino Buxati, shkrimtarë spanjollë, portugezë, rusë, italianë etj.