Me 4 gola të shënuar në 9 takime të kampionatit, Indrit Tuci po kalon një sezon të mirë me NK Olimpija në elitën sllovene. I ftuar të fliste për Ora News, në emisionin “Sport Focus”, qendërsulmuesi shqiptar u ndal te ecuria e tij, dëshira për t’u rikthyer në Kombëtare dhe përshtypjet për Shqipërinë nën drejtimin e Maran.
Duke krahasuar periudhën e trajnerit italian me atë të Sylvinhos, Tuci vlerësoi paraqitjet e deritanishme në Ligën e Kombeve. Sipas tij, skuadra e ka befasuar për mirë, veçanërisht në Helsinki, ku, pas kartonit të kuq në Finlandë, u paraqit shumë mirë edhe me 10 lojtarë. Ai pranoi se nuk e kishte pritur një paraqitje të tillë.
Të lidhura
None found
Sulmuesi tregoi gjithashtu se kishte biseduar me futbollistë të Kombëtares, të cilët i kishin shprehur kënaqësinë për punën me Maran. Në vlerësimin e tij, fillimi duket mjaft i mirë, ndërsa mbetet për t’u parë vazhdimësia.
Për sa i përket formës personale, Tuci e lidhi rendimentin dhe golat me punën e bërë ndër vite, jo vetëm gjatë qëndrimit në Slloveni. Ai u shpreh i lumtur për nivelin që po tregon dhe me shpresën që të ruajë të njëjtën ecuri, duke theksuar se grumbullimi me Shqipërinë mbetet dëshira e tij më e madhe.
Mungesa në mundësinë e fundit për shkak të dëmtimit i ka lënë keqardhje, por njëkohësisht e ka shtyrë t’i kërkojë më shumë vetes. Tuci synon të japë kontributin e tij për Shqipërinë, të jetë i gatshëm dhe të presë një ftesë të mundshme.
Ai sqaroi se nuk ka pasur komunikim të drejtpërdrejtë me trajnerin Maran, duke përmendur numrin e madh të futbollistëve. Megjithatë, pritshmëritë për një thirrje nuk i ka të larta, pasi është i vetëdijshëm për konkurrencën e fortë në qendër të sulmit dhe për paraqitjet shumë të mira të Manajt, Dakut dhe Shpendit.
Për Tucin, kjo garë për një vend është në të mirë të Kombëtares. Ai siguroi se angazhimi i tij maksimal nuk do të ndryshojë, pavarësisht nëse ftohet apo jo. Një grumbullim do të ishte pozitiv për të, por edhe në mungesë të ftesës, nuk do të kishte problem.








