Kapet në Spanjë 36-vjeçari nga Shkodra, i akuzuar për të shtënat ndaj një biznesi në vitin 2022

Armando Ndreu, 36 vjeç, i lindur në Shkodër dhe i shpallur në kërkim ndërkombëtar, është arrestuar në Spanjë për t’u ekstraduar në Shqipëri.

Kapja e tij u bë gjatë operacionit ndërkombëtar të koduar “The Wanted”, pas shkëmbimit të informacioneve ndërmjet strukturave të Policisë së Shtetit dhe Interpol Madridit.

Të lidhura

None found

Policia bën të ditur se Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër kishte vendosur ndaj Ndreut masën e sigurisë “Arrest në burg” në vitin 2022.

Akuzat lidhen me një ngjarje të marsit 2022 në lagjen “Skënderbeg” të Shkodrës. Sipas Policisë, për motive të dobëta, ai qëlloi me armë zjarri automatike drejt një subjekti në pronësi të shtetasit S. S. Të shtënat shkaktuan vetëm dëme materiale.

Ndreu akuzohet për veprat penale “Vrasja”, mbetur në tentativë, dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”.

Interpol Tirana po bashkëpunon me homologët në Madrid për përmbylljen e procedurave të ekstradimit të tij në Shqipëri.


Shtuar më 2.11.2026 16:43