Ukraina është e gatshme t’i pezullojë sulmet ndaj rafinerive ruse të naftës, siç ka kërkuar presidenti amerikan Donald Trump, nëse Shtetet e Bashkuara e furnizojnë shpejt me raketa Patriot për mbrojtjen ajrore. Kështu deklaroi presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky në një intervistë për Fox News më 1 nëntor.
Zelensky tha se e ka diskutuar këtë çështje me Trumpin dhe bashkëpunëtorët e tij. Ai i shpjegoi gazetarit Trey Yingst se Ukraina nuk mund të heqë dorë nga kundërpërgjigjja për sa kohë Rusia vret qytetarët e saj dhe godet rrjetin elektrik, infrastrukturën e gazit, rafineritë dhe pjesë të tjera të sektorit energjetik.
Të lidhura
None found
Sipas presidentit ukrainas, ndalimi i sulmeve ndaj rafinerive ruse kërkon që edhe Rusia të ndërpresë goditjet ndaj sistemit energjetik të Ukrainës. Si mundësi tjetër, ai përmendi furnizimin me raketa Patriot, duke theksuar se Ukraina do të sigurojë paratë dhe do të paguajë për to, jo thjesht të kërkojë ndihmë.
Nëse SHBA-ja i siguron Ukrainës raketa Patriot për një muaj, tha Zelensky, vendi i tij do t’i pezullojë sulmet ndaj rafinerive ruse po për një muaj.
Më 30 tetor, Departamenti amerikan i Shtetit njoftoi se kishte miratuar shitjen për Ukrainën të raketave për sistemet e mbrojtjes ajrore Patriot, me vlerë 2.1 miliardë dollarë. Ukraina ka nevojë urgjente për këto raketa, të cilat synojnë të forcojnë mbrojtjen e saj nga sulmet ajrore gjithnjë e më të shpeshta ruse.
Megjithatë, Zelensky paralajmëroi se mbërritja e 500 raketave interceptuese mund të kërkojë “disa vite”. Në një postim në rrjetet sociale, ai e cilësoi numrin prej 500 raketash interceptuese PAC-3 si të konsiderueshëm dhe tha se ato mund të krijonin një paketë efektive mbrojtjeje gjatë këtij dimri. Dërgesat, sipas tij, mund të nisin vetëm pas disa vitesh.
Për këtë arsye, presidenti ukrainas tha se u ka kërkuar partnerëve amerikanë një zgjidhje për periudhën e ndërmjetme, kur rreziku është real dhe nevoja për raketat interceptuese PAC-3 është urgjente.
Alex Plitsas, bashkëpunëtor në Këshillin Atlantik dhe ish-zyrtar i Pentagonit, e vlerësoi si të rëndësishëm njoftimin për raketat Patriot, por tha se ai nuk i plotëson nevojat e menjëhershme të Ukrainës. Sipas tij, Rusia po i vazhdon sulmet ndaj infrastrukturës energjetike për të terrorizuar civilët dhe për ta detyruar Ukrainën të dorëzohet, ndërsa popullsia përballet me të ftohtin e dimrit.
Raketat interceptuese PAC-3 të sistemit amerikan Patriot janë ndër të paktat armë perëndimore të afta të rrëzojnë raketat balistike që Rusia lëshon drejt qyteteve të Ukrainës.
Trump, i cili përballet me presion politik për shkak të rritjes së madhe të çmimeve të energjisë në SHBA, ka kërkuar një armëpushim në sektorin energjetik. Thirrja e tij drejtuar Rusisë dhe Ukrainës është që të ndalin sulmet ndaj infrastrukturës së këtij sektori.
Rusia e nisi pushtimin në shkallë të gjerë të Ukrainës në shkurt të vitit 2022 dhe u ka rezistuar thirrjeve për armëpushim. Me afrimin e muajve të dimrit, që mund të jenë të ashpër, ajo i ka shtuar goditjet ndaj infrastrukturës energjetike ukrainase dhe objekteve civile.
Nga ana e saj, Ukraina ka sulmuar infrastrukturën energjetike ruse, për të cilën thotë se shërben për të mbështetur luftën e Moskës kundër saj. Në mbarë Rusinë janë raportuar mungesa karburantesh dhe radhë të gjata në pikat e furnizimit.
Ndërkohë, të dyja vendet kanë raportuar sulme të dyshuara kibernetike ndaj sistemeve që përdorin për të paralajmëruar dhe informuar qytetarët. Nuk dihet nëse incidentet kanë lidhje me njëri-tjetrin.
Forcat Ajrore të Ukrainës njoftuan se dyshonin për një ndërhyrje hakerësh në sistemin e paralajmërimit të sulmeve ajrore, por thanë se funksionimi i tij ishte rikthyer në normalitet. Më 1 nëntor, ato u kërkuan qytetarëve të ruanin qetësinë dhe të ndiqnin njoftimet e tyre, pasi dukej se dikush kishte ndërhyrë pa autorizim në aplikacionin e paralajmërimit.
Një ditë më pas, Ministria ruse e Situatave të Emergjencës njoftoi në Telegram se aplikacioni i saj ishte vënë në shënjestër të një sulmi masiv kibernetik. Sipas ministrisë, sulmuesit kishin arritur t’u shpërndanin qytetarëve informacione të rreme përmes aplikacionit.
Nuk ka prova që i lidhin dy incidentet. Mediat ruse kanë raportuar gjithashtu disa sulme të tjera hakerësh ndaj faqeve të internetit në Rusi gjatë ditëve të fundit.








