Rrënojat e Kukësit të Vjetër, janë shfaqur sërish mbi sipërfaqen e liqenit të Fierzës, për shkak të nivelit të ulët të ujit. Reshjet e fundit nuk kanë sjellë ndryshim në kuotën e liqenit.
Të dhënat më të fundit tregojnë se niveli i ujit ndodhet në 260 metra mbi nivelin e detit, ndërsa prurjet janë më pak se 45 metra kub ujë në sekondë.
Të lidhura
None found
Hidrocentrali i Fierzës vijon të jetë jashtë punës, pasi niveli i ujit në liqen ka rënë ndjeshëm. Ndërkohë, situata hidrike mbetet e pandryshuar.
Kuota e liqenit varet nga reshjet, prurjet e lumenjve dhe mënyra e administrimit të rezervave ujore. Për këtë arsye, zhvillimet e kushteve hidrike gjatë ditëve të ardhshme do të jenë përcaktuese për gjendjen në kaskadën e Drinit dhe për mundësinë e vënies sërish në punë të hidrocentralit të Fierzës.
Periudhat e zgjatura me reshje të pakta, si ajo aktuale, kanë shkaktuar ulje të konsiderueshme të nivelit të ujit. Kjo situatë kufizon prodhimin e energjisë elektrike dhe ngre shqetësime edhe për furnizimin me ujë.
Ndërsa prurjet e larta do të ndihmonin në forcimin e rezervave ujore dhe në rritjen e kapaciteteve hidroenergjetike të vendit, tërheqja e ujit nuk shkakton vetëm pasoja historike, por ndikon edhe te gjallesat ujore.
Brenda dhjetë muajve të këtij viti, rrënojat e Kukësit të Vjetër janë bërë të dukshme mbi ujë në dy raste.
Thatësira e zgjatur, së bashku me përdorimin e ujit për prodhimin e energjisë elektrike, ka sjellë rënien e fortë të nivelit të liqenit të Kukësit, i cili shërben si rezervuar për hidrocentralin e Fierzës.





