Autoritetet boliviane kanë shpallur gjendjen e jashtëzakonshme në të gjithë vendin, për shkak të ndikimeve të pritshme të fenomenit klimatik El Niño, i cili pritet të sjellë thatësira të forta dhe përmbytje në zona të ndryshme.
Vendimi u firmos të shtunën nga presidenti Rodrigo Paz. Përmes tij synohet vënia në dispozicion e fondeve dhe mjeteve logjistike për menaxhimin e situatës, si dhe forcimi i ekipeve të emergjencave në territoret më të goditura.
Të lidhura
None found
Paz paralajmëroi se El Niño mund të shkaktojë “pasoja shumë të rënda në drejtim të thatësirave dhe përmbytjeve”, duke nënvizuar se përballimi i krizës kërkon “bashkëpunimin e të gjitha institucioneve”.
Të dhënat e qeverisë, të bëra publike gjatë kësaj jave, tregojnë se thatësira ka prekur deri tani rreth 78 mijë familje në gjashtë prej nëntë rajoneve administrative të Bolivisë. Për shkak të kushteve të vështira janë humbur gjithashtu më shumë se 75 mijë krerë bagëti, çka ka rënduar situatën financiare të fermerëve dhe blegtorëve.
Rreziku nuk lidhet vetëm me mungesën e reshjeve. Në dhjetor të vitit 2025, përmbytjet në Santa Cruz shkaktuan dhjetëra viktima. Efektet e El Niños janë vërejtur edhe në shtete të tjera të Amerikës së Jugut, ku janë regjistruar fenomene atmosferike të pazakonta.
Santiago i Kilit shënoi tetorin më të lagësht të regjistruar ndonjëherë, ndërsa zjarret në Peru lanë të paktën 12 viktima gjatë muajit të kaluar.
El Niño është një dukuri natyrore që shfaqet zakonisht çdo dy deri në shtatë vjet dhe lidhet me ngrohjen e sipërfaqes së ujërave të Oqeanit Paqësor. Ky proces ndikon te drejtimi i erërave, presioni i atmosferës dhe shpërndarja e reshjeve në rajone të ndryshme të botës. Në varësi të zonës, fenomeni mund të sjellë periudha të gjata thatësire ose reshje të dendura që shkaktojnë përmbytje.
Parashikimet shkencore sugjerojnë se cikli aktual mund të jetë ndër më të fuqishmit e regjistruar deri më tani. Kulmi pritet të arrihet në fund të vitit 2026, ndërsa ndikimet mund të zgjasin edhe përgjatë vitit 2027. Ekspertët paralajmërojnë se vendet më të varfra mund të përballen me pasoja më të rënda, për shkak të kapaciteteve më të kufizuara për reagim ndaj fatkeqësive natyrore. Sipas disa vlerësimeve, El Niño mund të lidhet me më shumë se 450 mijë viktima në mbarë botën.
Organizata Botërore Meteorologjike deklaroi në fillim të shtatorit se ekziston një mundësi prej gati 100% që El Niño të mbetet aktiv deri në shkurt të vitit 2027. Gjendja e jashtëzakonshme e shpallur në Bolivi synon të përshpejtojë masat e autoriteteve, ndërsa mijëra familje vijojnë të përballen me dëmet e drejtpërdrejta të thatësirës dhe përmbytjeve.








