Tirana do të përballet me Egnatian në stadiumin e Vorës, në kuadër të javës së 10-të të “Abissnet Superiore”. Takimi është programuar të nisë në orën 13:30. Para kësaj sfide, trajneri i bardhebluve, Dean Klafuriç, foli për mediat.
Tekniku kroat pranoi se zhvillimi i ndeshjeve në stadiume të ndryshme ndikon te lojtarët, pasi një situatë e tillë nuk është e lehtë për ta. Megjithatë, ai vlerësoi profesionalizmin dhe qëndrueshmërinë e skuadrës.
Të lidhura
None found
“Sigurisht që kjo ndikon te lojtarët dhe nuk është e lehtë për ta. Por ata janë profesionistë dhe kanë treguar se dinë të përshtaten. Jam i kënaqur me lojtarët e mi, sepse deri tani kanë dëshmuar se janë të gatshëm për çdo situatë dhe nuk e kanë problem këtë fakt”, u shpreh Klafuriç.
Trajneri i Tiranës theksoi se skuadra do të dëshironte të luante gjithmonë në fushën e saj, përpara tifozëve që e mbështesin.
“Do të ishte shumë mirë të kishim gjithmonë fushën tonë dhe tifozët tanë në krah. Edhe për ta nuk është e thjeshtë kjo situatë, por ne duhet të bëjmë më të mirën me rrethanat që kemi”, deklaroi ai.
Përballë tyre do të jetë një Egnatia që Klafuriç e konsideron një kundërshtar të fortë, me paraqitje të mira si në arenën europiane, ashtu edhe në kampionat.
“Egnatia është një ekip shumë i mirë. Ka luajtur mirë jo vetëm në Europë, por edhe në kampionat”, tha trajneri i bardhebluve.
Në fund, Klafuriç iu drejtua tifozëve të Tiranës me një thirrje për të qenë të pranishëm në stadium dhe për të mbështetur ekipin gjatë ndeshjes.
“U them tifozëve të vijnë dhe të na mbështesin. Shpresoj që pas ndeshjes të jemi të lumtur, si ne ashtu edhe ata”, përfundoi ai.





