Një sulm me armë zjarri në një dyqan në Fairfield të Kalifornisë ka shkaktuar vdekjen e një gruaje shtatzënë dhe plagosjen e gjashtë personave të tjerë.
Të shtënat u regjistruan të premten në mbrëmje, më 30 tetor, rreth orës 20:30, në dyqanin Spirit Halloween, që ndodhet brenda qendrës tregtare Solano Town Center.
Të lidhura
None found
Viktima u identifikua si Constance Hages, 31 vjeçe. Familjarët i thanë autoriteteve se ajo ishte shtatzënë kur u qëllua.
Pas njoftimit për të shtëna, policia shkoi në vendngjarje, ku gjeti shtatë persona të plagosur. Një prej tyre vdiq, ndërsa gjashtë të tjerët u dërguan për trajtim në spitalet e zonës.
Autoritetet thanë se mes të plagosurve janë një 16-vjeçar dhe dy burra, përkatësisht 19 dhe 32 vjeç, të cilët ndodhen në gjendje kritike.
Edhe një 23-vjeçar vazhdon të marrë kujdes mjekësor në spital. Gjendja e tij përshkruhet si kritike, por e stabilizuar. Dy personat e tjerë, të moshave 19 dhe 43 vjeç, u trajtuan dhe më pas u larguan nga spitali.
Sipas hetuesve amerikanë, dyshohet se bëhet fjalë për një sulm të qëllimshëm të kryer nga një person brenda dyqanit.
Identiteti i autorit ende nuk është bërë publik dhe deri tani nuk është kryer asnjë arrestim. Policia po shqyrton regjistrimet e kamerave të sigurisë dhe po interviston dëshmitarët, me qëllim përcaktimin e rrethanave dhe motivit të ngjarjes.
Në procesin hetimor po kontribuon edhe ekipi i reagimit ndaj provave i FBI-së në Sacramento.
Qendra tregtare vendosi të anulonte aktivitetin e planifikuar për Halloween-in pas tragjedisë. Dyqani ku ndodhi sulmi do të mbetet i mbyllur deri në një njoftim të ri.







