Kurti kërkon ndjekje penale për zyrtarët që neglizhuan rastin e Arlinda Zekajt

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka reaguar pas vrasjes së Arlinda Zekajt, duke vënë në pikëpyetje trajtimin institucional të rasteve të dhunës ndaj grave.

Gjatë mbledhjes së 64-të të Këshillit të Përgjithshëm të Lëvizjes Vetëvendosje, Kurti deklaroi se rasti i Arlindës tregon se ndjekja e procedurave të përcaktuara me ligj dhe kërkimi i ndihmës nga institucionet nuk janë shoqëruar me garantimin e sigurisë së saj.

Të lidhura

None found

“Vrasja e Arlinda Zekajt na ka përballur edhe një herë me një të vërtetë të rëndë se një grua mund t’i ndjekë të gjitha rrugët që i parasheh ligji, të denoncojë dhunën, të kërkojë mbrojtje, madje të paralajmërojë me shkrim se i rrezikohet jeta dhe prapë të përfundojë e vrarë”, deklaroi Kurti.

Sipas kryeministrit, Arlinda kishte ndjekur pikërisht hapat që institucionet u rekomandojnë grave kur përballen me dhunë.

“Arlinda bëri atë që institucionet u kërkojnë grave ta bëjnë kur përballen me dhunë”, u shpreh ai.

Kurti rikujtoi se një ditë më parë ishin bërë publike të dhënat mbi rrjedhën e rastit dhe mangësitë e konstatuara në zinxhirin institucional, përfshirë edhe mungesën e bashkëpunimit mes institucioneve përkatëse.

Ai bëri të ditur se do të kërkohet përgjegjësi për çdo zyrtar që nuk ka përmbushur detyrat e veta, duke mos përjashtuar as përgjegjësinë penale.

“Ritheksoj që do të angazhohemi deri në fund që secili zyrtar përgjegjës që nuk e ka kryer detyrën të japë përgjegjësi, jo vetëm disiplinore, por edhe penale. Secili përgjegjës i secilës hallkë duhet të hetohet”, tha Kurti.

Ai nënvizoi gjithashtu se neglizhenca në kryerjen e detyrës duhet të pasohet me masa konkrete.

“Kushdo që ka neglizhuar punën duhet të japë përgjegjësi dhe do të përballet me masa disiplinore dhe penale”, përfundoi kryeministri.


Shtuar më 31.10.2026 13:38