Daniel Bochsler, ekspert i politikës serbe, ka vlerësuar se statusi i Kosovës vazhdon të trajtohet si çështje tabu në Serbi. Ai ka komentuar gjithashtu qëndrimet e ndryshme brenda lëvizjes studentore, e cila ka shënuar sukses në zgjedhjet parlamentare përballë partisë së Aleksandar Vuçiqit.
Në një intervistë për mediumin zviceran Watson, Bochsler, i cili e ka studiuar politikën e Serbisë për më shumë se 20 vjet, ka deklaruar se është tepër e vështirë të gjendet një subjekt politik serb që të shprehet publikisht në favor të pavarësisë së Kosovës.
Të lidhura
None found
Bochsler ka folur edhe për raportin mes lëvizjes studentore dhe qarqeve nacionaliste serbe. Sipas tij, gjatë protestave janë parë persona me flamuj që përmbanin mbishkrime dhe simbole përmes të cilave Kosova paraqitej si pjesë e Serbisë.
Pavarësisht kësaj, ai ka theksuar se lëvizja studentore ka mundur të lërë jashtë listës zgjedhore shumë kandidatë që njiheshin për qëndrime të forta nacionaliste.
Kjo, sipas shpjegimit të tij, është bërë e mundur përmes së drejtës së vetos, të përdorur nga këshillat studentore në universitete dhe fakultete gjatë procesit të përzgjedhjes së kandidatëve.
“Çështja e Kosovës është një tabu politike në Serbi. Nuk do të gjeni në Serbi ndonjë parti ku dikush të flasë hapur për pavarësinë e Kosovës”, ka deklaruar Bochsler.
Eksperti ka thënë se vetoja ka dhënë rezultate relativisht të mira brenda lëvizjes studentore, duke parandaluar përfshirjen e një numri të madh të kandidatëve nacionalistë në listën zgjedhore.
Ai ka shtuar se në përfundim nga lista janë larguar edhe përfaqësuesit më të dallueshëm të të dyja krahëve politike që vepronin brenda lëvizjes.
Megjithatë, ende nuk dihet se cili do të jetë qëndrimi konkret i qeverisë së re të Serbisë ndaj Kosovës, pasi lëvizja studentore përfshin grupe me orientime të ndryshme ideologjike.








