Publikohet letra e dorëheqjes së Gazmend Hoxhës drejtuar Kurtit: Besimi qytetar mbi çdo post

Gazmend Hoxha, drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, ka dhënë dorëheqje nga detyra pas tragjedisë në Vitomiricë të Pejës, ku mbeti e vrarë 49-vjeçarja Arlinda Zekaj.

Në letrën që i ka dërguar kryeministrit të Kosovës, Hoxha ka sqaruar se vendimi për t’u larguar ka ardhur pas një reflektimi të thellë, duke e cilësuar këtë si përgjegjësi institucionale dhe morale.

Të lidhura

None found

Ai ka theksuar se përgjegjësia e një lideri nuk kufizohet vetëm te veprimet e tij personale, por shtrihet edhe në mbrojtjen e standardeve të ligjshmërisë, profesionalizmit dhe integritetit të institucionit që drejton.

“Duke marrë për bazë ngjarjen tragjike në Vitomiricë të Pejës, vrasjen makabre të nënës, bijës dhe motrës sonë, Arlinda Zekaj, pas një reflektimi të thellë dhe me ndjenjën e përgjegjësisë institucionale e morale, duke e vënë interesin e shtetit dhe dinjitetin e institucionit mbi çdo interes personal, unë jap dorëheqje morale nga pozita e Drejtorit të Policisë së Kosovës”, ka shkruar Hoxha në letrën e tij.

Ai ka shtuar se këtë vendim e merr me bindjen e plotë se asnjë pozitë nuk qëndron mbi shtetin dhe se asnjë funksion nuk ka më shumë peshë se besimi që qytetarët kanë te institucionet.

Në letër, Hoxha ka përmendur gjithashtu sfidat dhe arritjet e Policisë së Kosovës gjatë periudhës që ai e drejtoi këtë institucion, duke filluar nga marsi i vitit 2023.

Ndër të tjera, ai ka veçuar operacionet në veri të vendit, menaxhimin e situatave të sigurisë në Zveçan dhe Banjskë, si dhe hetimin e sulmit ndaj kanalit të Ibër-Lepencit.

Sipas tij, në këtë periudhë Policia ka arritur rezultate edhe në fushën e luftimit të krimit të organizuar, trafikimit të drogës dhe armëve, korrupsionit dhe krimeve kibernetike.

Hoxha ka pranuar se dhuna në familje mbetet një fenomen thellësisht shqetësues dhe ka vlerësuar se kërkohet një qasje më e koordinuar ndërmjet Policisë, Prokurorisë, shërbimeve sociale, gjykatave dhe organizatave joqeveritare për ta adresuar këtë problem.

Të dhënat për hetimin e krimeve të luftës dhe luftën kundër fajdesë

Në dokumentin e bërë publik, Hoxha ka paraqitur një përmbledhje të rezultateve të disa hetimeve dhe operacioneve të rëndësishme të Policisë së Kosovës.

Sipas të dhënave të tij, gjatë periudhës 2023–30 tetor 2026, në kuadër të hetimit të krimeve të luftës, nga 305 informata janë marrë 163 autorizime nga Prokuroria për fillimin e hetimeve. Janë hetuar 63 raste të reja dhe janë iniciuar 66 kallëzime penale ndaj 745 personave të dyshuar, ndërsa janë arrestuar 62 persona.

Gjatë këtyre hetimeve, sipas Hoxhës, janë gjetur edhe 62 trupa dhe 14 pjesë kockore.

Ndërkaq, në fushën e luftimit të fajdesë, nga konsolidimi i ekipit të posaçëm hetimor në maj të vitit 2024, janë arrestuar 79 persona të dyshuar për fajde dhe vepra të tjera penale.

Në këtë kuadër janë realizuar 40 operacione policore dhe janë kontrolluar rreth 90 objekte banimi dhe objekte përcjellëse. Vlera e përafërt e veturave, parave dhe pasurive të tjera të sekuestruara arrin në tetë milionë euro.

Hoxha ka publikuar edhe të dhënat për rastet “White Star” dhe “Skyecc”, ku janë arrestuar 37 persona.

Gjatë veprimeve hetimore janë sekuestruar 153 mijë e 560 euro, 49 armë të ndryshme, 2 mijë e 26 fishekë, 13 mijë euro të dyshuara si të falsifikuara, 76 vetura dhe 39 orë dore të markave të shtrenjta.

Po ashtu, janë evidentuar 20 banesa, pesë depo, 12 garazhe, katër lokale, gjashtë shtëpi, dhjetë pyje, 170 parcela dhe një hotel, me vlerë të përafërt prej 49.8 milionë eurosh.

Janë ngrirë edhe 47 llogari bankare, me vlerë të përgjithshme prej rreth 1.5 milion eurosh.

Sipas përmbledhjes së publikuar nga Hoxha, vlera e përgjithshme e sekuestrimeve, konfiskimeve dhe ngrirjeve të pronave dhe llogarive bankare në këto raste arrin në 53 milionë e 974 mijë e 918 euro.


Shtuar më 30.10.2026 19:29