Si fitoi kompania e Ermal Beqirit kontratë nga KESH pas arrestimit? Procedura u administrua nga ish-bashkëpunëtorja e Ballukut

Emisioni “Në Shënjestër”, i gazetares Klodiana Lala, ka trajtuar skemën financiare që, sipas SPAK, lidh Ergys Agasin me Ermal Beqirin në përfitimin e fondeve përmes tenderave të Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit, AKSHI.

Në dokumentar referohet vendimi gjyqësor për sekuestrimin e pasurive, si dhe transaksionet që, sipas hetimit, janë kryer nga kompanitë “Soft & Solution”, “Fastech” dhe “First” në drejtim të “EA Solution”.

Të lidhura

None found

Sipas materialit, “EA Solution” nuk dispononte kapacitetet teknologjike dhe stafin e nevojshëm për realizimin e kontratave që merrte në mënyrë formale. Në dokumentar përmenden edhe pagesa të tjera që, sipas SPAK, i janë dhënë Ergys Agasit.

Një pjesë e emisionit përqendrohet te kontrata e lidhur mes kompanisë së Ermal Beqirit dhe KESH-it, me vlerë rreth 10 mijë euro, ndërsa në këtë procedurë përmendet edhe Joana Bushi.

Pjesë nga dokumentari:

Sipas SPAK, Ergys Agasi dhe Ermal Beqiri dyshohet se kanë bashkërenduar veprimet për të përfituar miliona euro nga AKSHI.

Në vendimin e Gjykatës për sekuestrimin e pronave dhe pasurive të Ergys Agasit thuhet se, përmes shoqërisë “EA Solution”, ai ka marrë “vlera të konsiderueshme monetare” nga “Soft & Solution” sh.p.k., në pronësi të Ermal Beqirit, “Fastech” sh.p.k., në pronësi të Andis Papës, dhe “First” sh.p.k., në pronësi të Gëzim Hoxhës.

Dokumentet i paraqesin këto pagesa si të kryera për shërbime të ndryshme, por hetuesit dyshojnë se në të vërtetë ato përbënin shpërblime për sigurimin e tenderave të AKSHI-t.

Sipas hetimit, kjo ishte e mundur për shkak të marrëdhënieve të afërta që Agasi kishte me drejtoreshën e këtij institucioni, Mirlinda Karçanaj, e cila dha dorëheqjen pasi u mor e pandehur.

SPAK ka arritur në përfundimin se “EA Solution” nuk kishte as kapacitetet teknologjike, as burimet njerëzore për të realizuar detyrimet e marra përmes kontratave.

Veç pagesave të drejtpërdrejta, sipas SPAK, Agasi përfitonte edhe dhurata të tjera, mes të cilave verëra të shtrenjta me vlerë mbi 900 mijë euro.

Dokumentari ngre pikëpyetje edhe për faktin se kompania e Ermal Beqirit vazhdon të përfitojë fonde publike, pavarësisht hetimeve dhe aferave korruptive ku, sipas materialit, është përfshirë ai.

Kështu, “Soft & Solution”, shoqëria në emër të Ermal Beqirit, ka siguruar një kontratë tjetër publike nga KESH-i, me vlerë rreth 10 mijë euro.

Objekti i kësaj kontrate është mirëmbajtja e sistemit financiar të KESH-it.

Rrjedhimisht, kompania e Ermal Beqirit do të përgjigjet për mirëmbajtjen e sistemit financiar të Korporatës Elektroenergjetike, ndërkohë që pronari i saj është nën hetim për tenderat e AKSHI-t.

Sipas dokumentarit, përgjegjëse për këtë procedurë ka qenë Joana Bushi, ish-bashkëpunëtore e afërt e ish-zv/Kryeministres Belinda Balluku.

Edhe Belinda Balluku po hetohet nga SPAK për disa vepra të rënda penale që lidhen me korrupsionin.

Joana Bushi ka qëndruar pranë Ballukut deri në largimin e kësaj të fundit nga drejtimi i Ministrisë së Infrastrukturës, në shkurtin e vitit 2026, pas hetimeve të nisura nga Prokuroria e Posaçme.

Aktualisht, Bushi mban detyrën e menaxhueses së tenderave pranë Korporatës Elektroenergjetike.

Kjo ndodh ndërsa emri i saj përfshihet në dosjen hetimore për “pastrim parash” ndaj ish-shefes së saj, Belinda Balluku.

Ndërkohë, pritet që zbërthimi i mëtejshëm i rolit të Ergys Agasit dhe ekstradimi i Ermal Beqirit nga Franca të hedhin dritë mbi atë që deri tani konsiderohet vetëm maja e ajsbergut të aferës së AKSHI-t.

Po ashtu, hetimet synojnë të zbardhin edhe skemën mafioze përmes së cilës, sipas pretendimeve të ngritura, krimi ka vënë nën kontroll qeverinë.