Tetë muaj në arrati, nga Durrësi në Elbasan e kthim: Si u arrestua Ergys Agasi dhe çfarë roli pati ish-zyrtari i policisë

Emisioni “Në Shënjestër”, i gazetares Klodiana Lala, riktheu kronologjinë e arrestimit të Ergys Agasit në zonën e Plepave, në Durrës, pas tetë muajsh në kërkim. Sipas dokumentarit, hetuesit e ndoqën me dron gjatë lëvizjeve të tij dhe në automjetin ku udhëtonte ndodhej në timon ish-zyrtari i Policisë së Shtetit, Uljan Shpataraku.

Materiali i emisionit, duke iu referuar dosjes hetimore, thotë se Agasi u mbajt nën vëzhgim për disa orë. Autoritetet ndoqën itinerarin e tij nga Durrësi drejt Elbasanit dhe më pas kthimin në qytetin bregdetar.

Të lidhura

None found

Dokumentari paraqet edhe deklarimet e pronarit të automjetit, si dhe versionin e Shpatarakut për rrethanat në të cilat përfundoi në të njëjtën makinë me Agasin.

Pjesë nga dokumentari:

Për tetë muaj, ai ishte ndër personat më të kërkuar në Shqipëri.

Arratisja e tij përfundoi në një mbrëmje të fundit të gushtit. Bëhej fjalë për një person që, sipas akuzave, kishte lidhur botën e krimit me atë të pushtetit dhe kishte ndikuar në të dyja anët.

27 Gusht 2026

Një Audi i zi largohet nga Elbasani, rreth 40 kilometra larg Tiranës. Brenda automjetit janë dy burra: njëri në timon, tjetri në sediljen e përparme të pasagjerit.

Udhëtimi duket i zakonshëm dhe, pavarësisht trafikut të rënduar të sezonit veror, asgjë nuk të lë të mendosh se dy personat mund të përballen me ndonjë problem.

Por pas makinës, të fshehura mes qarkullimit të dendur, lëvizin edhe disa automjete të tjera. Ato i janë vënë pas Audi-t, që po udhëton drejt Durrësit, ndonëse nuk duken si makina të zakonshme në rrugë.

Ora 17.00

Pas afro 40 minutash në udhëtim nga Elbasani, kur Durrësi duket afër, automjeti detyrohet të ndalojë. Përfundon një ditë vere, por bashkë me të edhe arratia e një personi të shumëkërkuar.

Informacioni i Byrosë Kombëtare të Hetimit rezulton i saktë: në sediljen e përparme të Audi-t është Ergys Agasi, i shpallur në kërkim dhe i akuzuar për disa vepra të rënda penale.

Këto janë pamjet e arrestimit të tij në zonën e Plepave, në Durrës. Agasi njihet si “eminenca gri” dhe, sipas akuzave të ngritura nga ish-zëvendëskryeministri Arben Ahmetaj, ka lidhur fijet e krimit të organizuar me Edi Ramën.

Ai është përshkruar si person me ndikim të madh në tenderët e AKSHI-t, Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit. Pretendimet për ndikimin e tij shtriheshin edhe te emërimet e drejtuesve të lartë të Policisë së Shtetit dhe zyrtarëve të administratës, si dhe te shkarkimi e emërimi i ministrave të Brendshëm.

Ky pushtet, sipas materialit, i kishte mundësuar të krijonte miliona euro pasuri brenda pak vitesh dhe të ushtronte ndikim në një hapësirë të gjerë mes Tiranës, Elbasanit dhe Durrësit.

Në çastin e arrestimit, në timonin e automjetit ku ndodhej Agasi ishte Uljan Shpataraku. Deri pak kohë më parë, ai kishte qenë drejtues policie dhe njeriu më i afërt i ish-Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë, Ilir Proda.

Shpataraku u largua nga Policia e Shtetit pas largimit të Prodës nga drejtimi i institucionit. Në kohën kur Proda ishte drejtor i përgjithshëm, Shpataraku punonte si këshilltar i drejtorit të Departamentit për Teknologjinë dhe Informacionin. Në ditën e arrestimit, ai po drejtonte automjetin ku udhëtonte Agasi.

Pak para se të ndalohej me Agasin, Shpataraku ishte vetë në kërkim nga policia. Në fillim të gushtit dyshohej se kishte kanosur stafin e një hoteli në Dhërmi.

Arrestimi i të dyve rriti edhe një herë dyshimet e ngritura për lidhje mes policisë dhe krimit. Njohja mes Shpatarakut dhe Agasit mendohet të jetë e hershme, që nga koha kur Shpataraku ishte zyrtar i lartë në Policinë e Elbasanit.

Pas ndalimit, Agasi u dërgua fillimisht në Drejtorinë e Policisë së Tiranës, ku agjentët e Byrosë Kombëtare të Hetimit e morën në pyetje.

Policia e Durrësit

Drejtoria Vendore e Policisë Durrës dhe strukturat operacionale të Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit, në bashkëpunim me Prokurorinë e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK), zhvilluan operacionin e koduar “The Wanted”.

Gjatë operacionit, në Durrës u kap Ergys Agasi, i shpallur në kërkim nga SPAK-u. Në të njëjtën makinë me të udhëtonte Uljan Shpataraku, i cili gjithashtu u kap dhe u arrestua.

Si u lokalizua Agasi? Burimet thonë se, pas shpalljes në kërkim, ai kishte lëvizur mes Tiranës, Durrësit dhe Elbasanit, ku kishte lidhje me bosë të krimit. Raportohet se lidhjet e tij me policinë i jepnin mundësi të qëndronte i lirë pa u shqetësuar.

Megjithatë, dy javët e fundit para arrestimit, autoritetet e kishin vënë nën vëzhgim. Agasi ishte parë disa herë në Elbasan dhe Durrës, ndërsa për ndërhyrjen duhej një informacion sa më i saktë.

Shpataraku pretendoi se kishte marrë me qira një makinë, automjetin ku më pas u arrestua bashkë me Agasin. Me të, ai udhëtoi nga Durrësi drejt Elbasanit, ku u konfirmua se Agasi ndodhej në të njëjtin mjet.

Policia ishte tashmë pranë tyre, por synimi ishte që Agasit t’i pamundësohej arratisja ose reagimi. Për këtë arsye, u lejua të nisej nga Elbasani drejt Durrësit.

Në hyrje të qytetit bregdetar, në zonën e Plepave, policia krijoi një skenë aksidenti me makina civile. Në atë pikë, automjeti u ndalua për kontroll dhe Agasi e Shpataraku u prangosën.

Sipas dosjes hetimore të siguruar nga “Në Shënjestër”, lëvizjet e të dyve u regjistruan me dron gjatë orëve të fundit para arrestimit. Pajisja i ndoqi nga Durrësi në Elbasan dhe gjatë kthimit në qytetin bregdetar, ku u arrestuan pasdite.

Hetimet tregojnë se në mëngjesin e ditës së arrestimit, Agasi doli nga kompleksi i Ervis Doçit. Ky i fundit është sot në kërkim ndërkombëtar për trafik kokaine dhe organizatë kriminale, si edhe njihet për lidhjet e tij të forta me Agasin.

Veprimet hetimore

“Gjatë kryerjes së veprimeve operative, zona u mbikëqyr me një mjet fluturues pa pilot (dron), me qëllim identifikimin dhe lokalizimin e shtetasit në kërkim.

Në orën 11:39 u vu re një person, që dyshohej të ishte Ergys Agasi, duke dalë nga ambientet në katin e dytë të kompleksit të vilave. Ai kishte veshur bluzë të bardhë dhe pantallona të zeza treçerekëshe, doli nga kompleksi, kaloi në hollin e katit të parë dhe më pas hyri në ambientet e brendshme.

Vëzhgimi tregoi se Agasi qëndroi brenda kompleksit deri në orën 12.00. Kur doli, nuk ishte në timon, por pasagjer në sediljen e parë të një Audi të zi, i cili kishte mbërritur aty vetëm pak minuta më parë.

Deri në atë çast, drejtuesi i automjetit nuk ishte identifikuar.”

Veprimet Hetimore

“Në orën 11:59, gjatë monitorimit u konstatua një Audi A6 i zi, me portobagazh, që po hynte në kompleks. Automjeti kaloi portën kryesore dhe vazhdoi drejt parkimit nëntokësor të vilave. Për shkak të xhamave të errët nuk u arrit të identifikoheshin personat brenda tij.

Në orën 12.02, makina doli nga kompleksi. Në sediljen e përparme, pranë drejtuesit, u pa një person me bluzë të bardhë, i cili, bazuar në të dhënat e disponueshme, dyshohej se ishte Ergys Agasi.”

Prej atij çasti, autoritetet ndoqën vazhdimisht automjetin ku udhëtonte Agasi. Pasi doli nga kompleksi, Audi u drejtua për në Elbasan dhe u vu re në Tregun Ushqimor të qytetit, në pronësi të babait të Suel Celës.

Sipas materialit, Agasi qëndroi aty afro pesë orë. Nuk dihet se çfarë ndodhi brenda tregut, por mbikëqyrja vijoi deri në ndalimin e tij.

Veprimet Hetimore

“Në orën 12:03, Audi A6 i zi me portobagazh dhe targa AB323JK u largua nga kompleksi i vilave. Automjeti kaloi nga Nishtulla dhe rrethrrotullimi i Shkozetit, në drejtim të Plepave, dhe më pas përdori rrugët pranë shinave të trenit për të dalë në rrugën e Plazhit, në Durrës.

Kur mbërriti në zonën e Plepave, vazhdoi drejt autostradës, në drejtim të Kavajës, Rrogozhinës, Peqinit dhe Elbasanit. Në orën 13.35, pasi kaloi rrethrrotullimin e Bradasheshit, mori rrugën ‘Kadri Hoxha’ dhe, pranë tregut Agroushqimor, u kthye djathtas në një rrugicë.

Veprimet e kryera në terren treguan se Ergys Agasi qëndroi rreth pesë orë brenda Tregut Agroushqimor. Ndërkohë, policia priti për një kohë të gjatë në rrethrrotullimin e Bradasheshit, derisa ai të rifutej në qarkullim.”

Kur automjeti doli sërish, policia rifilloi ndjekjen.

Veprimet Hetimore

“Në orën 18:16, në rrugën ‘Kadri Hoxha’, u konstatua Audi A6 me targa AB323JK duke dalë nga zona. Makina vazhdoi pa ndalesë nga rrethi i Bradasheshit, në autostradë dhe drejt Peqinit, Rrogozhinës e Kavajës.

Pranë Plepave, në koordinim me shërbimet me uniformë të Drejtorisë Vendore Durrës, u ndalua automjeti që ishte mbajtur nën vëzhgim. Në sediljen e përparme u gjet Ergys Agasi, person në kërkim, ndërsa në timon ishte Uljan Shpataraku.”

Pronari i Audi-t tregoi para grupit hetues se Shpataraku ishte paraqitur në biznesin e tij po atë ditë dhe i kishte kërkuar ta blinte automjetin. Sipas tij, makinën e pa përsëri vetëm në pamjet televizive të arrestimit të Agasit dhe Shpatarakut.

Kadri G.:

“Kam një biznes në Shijak, ku tregtoj automjete dhe i jap me qira.

Audi me targa AB 323 JK është i imi dhe e kam blerë në Vlorë. E kisha nxjerrë në shitje dhe kisha publikuar njoftimin përkatës.

Më 24 Gusht 2026, rreth orës 15:00, erdhi një person me emrin Uljan dhe u interesua për ta blerë. E njihja nga pamja, sepse e kisha parë në televizor.

I dhashë automjetin që ta provonte. Ai më tha se do ta çonte në servis për kontroll dhe pastaj do të kryente noterinë e pagesën, për shumën 15.000 euro.”

Kadri G. i tha grupit hetues se Audi-n ia kishte lënë Uljanit dhe se e kishte parë sërish vetëm në pamjet që transmetuan mediat gjatë arrestimit të Agasit dhe Shpatarakut. Ai mohoi se njihte secilin prej tyre.

I pyetur nga hetuesit, Shpataraku paraqiti një version të ndryshëm. Ai tha se e kishte takuar Agasin rastësisht në rrugë dhe e kishte marrë në makinë pasi ky i kishte bërë shenjë.

Uljan Shpataraku:

“Rreth orës 01:00 të natës, djali im kishte temperaturë të lartë dhe ishte në Durrës, te vjehrri im në zonën e Kënetës. Mora bashkëshorten dhe shkova te ai.

Të nesërmen u zgjova, mora makinën dhe i thashë vjehrrit se do të shkoja në Elbasan.

Kur mbërrita në qytet takova dy miq dhe piva kafe me ta. Pastaj u nisa për t’u kthyer. Në rrugën e vjetër të Elbasanit, një person më bëri shenjë dhe e mora në makinë.”

Shpataraku këmbënguli se nuk e njihte Agasin, ndonëse ky ishte personazh i njohur në media dhe fotografitë e tij qarkullonin gjerësisht. Ai tha se nuk e njihte as si person që dyshohej për bashkëpunim të ngushtë me ish-drejtorin e përgjithshëm të Policisë, Ilir Proda.

Proda kishte qenë eprori i Shpatarakut gjatë kohës kur ky punonte në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë, pas emërimit të Prodës në atë institucion.

Uljan Shpataraku:

“Gjatë udhëtimit, në bisedë e sipër, personi që kisha në makinë më tha se quhej Berti dhe se merrej me dyer alumini. Nuk e dija që ishte Ergys Agasi dhe nuk kisha si ta njihja, pasi ishte në kërkim. Kur hipi në makinë, kishte mjekër, kapelë dhe shapka.”

Shpataraku deklaroi gjithashtu se kishte qenë asistent i Drejtorit të Departamentit të IT-së dhe se detyra e tij ishte ta ndihmonte drejtorinë, kryesisht në një pozicion të lartë drejtues.

Ai shtoi se, gjatë kohës kur shërbente si drejtues në qarkun e Elbasanit, as ai dhe as oficerët nuk i njihnin të gjithë personat e shpallur në kërkim. I pyetur nëse merrte në makinë persona të panjohur që i bënin shenjë, u përgjigj se po.

Sipas Shpatarakut, e bënte këtë sepse ishte besimtar dhe nuk kishte frikë të ndihmonte njerëz që nuk i njihte.

Ai dha edhe një shpjegim për Audi-n me të cilin u ndalua me Agasin. Ndërsa pronari tha se Shpataraku kishte ardhur për ta blerë makinën dhe nuk e kishte kthyer, Shpataraku deklaroi se ia kishte marrë një shoku, të cilit nuk ia dinte mbiemrin.

Uljan Shpataraku:

“Atë ditë përdora një Audi që e mora në Durrës, rreth orës 10:00, nga një shoku im me emrin Tomi, mbiemrin e të cilit nuk e di. E takova pranë Kënetës.

Po nisesha për në Elbasan, por makina ime nuk punonte mirë dhe herë pas here nxehej. Me Audi-n shkova drejtpërdrejt në Elbasan dhe nuk u ndalova gjatë rrugës.

Makina ime e lashë në një rrugicë në Kënetë.”

Shpataraku kundërshtoi gjithashtu se prania e tij në zonën e Tregut Agroushqimor në Elbasan lidhej me Agasin.

Uljan Shpataraku:

“Po, kam shkuar në Elbasan dhe kam qëndruar dy orë. Takova dy miq, piva kafe dhe pastaj u ktheva. Të shkosh në treg nuk është krim dhe nuk të bën kriminel; tregu është një zonë shumë e madhe. Unë përdor rrugën e vjetër për në Elbasan për shkak të trafikut, gjë që e di e gjithë Shqipëria.”