Ministrja e Financave, Gordana Dimitrieska Koçoska, bëri të ditur se projektbuxheti i vitit 2027 parasheh të ardhura të përgjithshme prej 395,4 miliardë denarësh, ose 5,7 për qind më shumë se në vitin 2026. Shpenzimet janë parashikuar në 440,4 miliardë denarë, të barasvlershme me 7 miliardë e 219 milionë euro, çka përbën rritje prej 4,8 për qind krahasuar me vitin paraprak.
Gjatë konferencës për shtyp, ministrja tha se hartimi i buxhetit u bë në një mjedis me pasiguri në ekonominë ndërkombëtare dhe rreziqe të jashtme. Për këtë arsye, sipas saj, vëmendja u përqendrua te realizmi i parashikimeve, qëndrueshmëria e shpenzimeve dhe përdorimi sa më efikas i parave publike.
Të lidhura
None found
Deficiti është përcaktuar në 45 miliardë denarë, që përfaqëson 3,5 për qind të BPV-së dhe është në përputhje me Strategjinë fiskale për vitet 2027-2031, deklaroi Dimitrieska Koçoska. Ajo tha se synimi është vijimi i konsolidimit gradual fiskal, ulja e deficitit dhe stabilizimi i borxhit publik, pa lënë pas dore prioritetet e zhvillimit.
Në kategorinë e të ardhurave, shpenzimet tatimore janë planifikuar në 223,1 miliardë denarë, me rritje prej 6,4 për qind, theksoi ministrja. Ajo shtoi se politika tatimore do të ruajë parashikueshmërinë, ndërsa përpjekjet do të përqendrohen te mbledhja më e mirë e të ardhurave, luftimi i evazionit fiskal dhe digjitalizimi i proceseve tatimore. Buxheti, sipas saj, garanton financim të rregullt e të pandërprerë për të gjitha detyrimet ligjore dhe kontraktuale të shtetit.
Projektbuxheti përfshin mjete për rritje pagash në sektorin publik dhe për përmbushjen e detyrimeve që lidhen me anëtarësimin në NATO. Për mbrojtjen janë ndarë fonde në masën 2 për qind të BPV-së, të destinuara për forcimin e kapaciteteve mbrojtëse, modernizimin dhe pajisjen e Armatës.
Siguria sociale e qytetarëve mbetet një nga përparësitë kryesore. Për transfere sociale janë planifikuar 220,8 miliardë denarë, 4,1 për qind më shumë. Brenda kësaj shume, 123,8 miliardë denarë janë paraparë për pensione, me rritje prej 4,8 për qind në përputhje me harmonizimin ligjor.
Për mbështetjen sociale të grupeve më të cenueshme janë rezervuar 14,3 miliardë denarë, ndërsa 2,9 miliardë denarë do të shkojnë për politika dhe masa aktive të punësimit. Financimi për kujdesin shëndetësor do të jetë 3,9 miliardë denarë më i lartë se këtë vit. Komunat, ndërkaq, do të përfitojnë transferta prej rreth 36 miliardë denarësh përmes bllok-granteve dhe granteve të TVSH-së.
Investimet kapitale janë një tjetër pjesë kyçe e buxhetit, me 40,8 miliardë denarë të planifikuar për këtë qëllim. Dimitrieska Koçoska tha se paratë synohet të orientohen drejt projekteve që sjellin vlerë afatgjatë, përmirësojnë infrastrukturën dhe rrisin cilësinë e shërbimeve publike. Ajo nënvizoi se, përveç shumës së ndarë, rëndësi ka edhe zbatimi i fondeve, ndaj fokusi do të jetë te realizimi në kohë i projekteve dhe rezultatet konkrete në terren.







