Rezultati i zgjedhjeve parlamentare të 25 tetorit në Serbi, ku Aleksandar Vuçiq pësoi humbje dhe lista e përkrahur nga lëvizja studentore doli fituese, ka nxitur reagime ndërkombëtare. Zhvillimi ka hapur debate për drejtimin e ardhshëm të Serbisë dhe ndikimin e tij në rajon, përfshirë marrëdhëniet me Kosovën e Shqipërinë.
Vëmendje ka marrë edhe mungesa e reagimit nga kryeministri shqiptar Edi Rama për humbjen e Vuçiqit, aleatit të tij politik në Beograd. Kjo heshtje bie në sy, pasi Rama ka shprehur qëndrime të forta për ngjarjet e brendshme shqiptare dhe protestat kundër qeverisë së tij.
Të lidhura
None found
Gazeta Bota sot diskutoi për arsyet e qëndrimit të Ramës, pasojat e ndryshimeve politike në Serbi dhe ndikimin e tyre në pozitën e Kosovës me profesorin e marrëdhënieve ndërkombëtare Enver Bytyçi.

Bytyçi thotë se Rama dhe Vuçiq kanë pasur lidhje të afërta politike, të cilat, sipas tij, kanë ndikuar në zhvillimet rajonale dhe në raportet mes Shqipërisë e Kosovës. Ai e sheh humbjen e Vuçiqit si goditje edhe për Ramën dhe ia lidh heshtjen kryeministrit shqiptar me interesat dhe marrëveshjet e përbashkëta mes tyre.
Profesori e përshkruan fitoren e studentëve në Serbi si zhvillim historik. Sipas tij, për herë të parë janë nxjerrë jashtë loje partitë që ai i cilëson përgjegjëse për gjenocidin në Bosnjë dhe krimet ndaj shqiptarëve.
“Kanë kaluar tri ditë që kur Aleksandër Vuçiq humbi pushtetin në Serbi. Studentët e mundën atë në zgjedhjet e 25 tetorit, duke e dërguar ish-presidentin e Serbisë në opozitë. Ishte një ngjarje historike. Për herë të parë partitë e gjenocidit boshnjak e kundër shqiptarëve, Partia e Sheshelit me emër të ndryshuar nga Vuçiqi, si dhe partia e Millosheviqit dhe e Daçiqit, dalin jashtë loje. Daçiqi nuk mundi as të hyjë në parlament”, shprehet Bytyçi.
Megjithatë, ai paralajmëron se ndërrimi i pushtetit nuk do të thotë vetvetiu se Serbia do të ndryshojë politikën e jashtme. Kjo, sipas tij, do të varet nga programi dhe hapat e qeverisë së re.
Bytyçi thotë se Rama nuk ka komentuar humbjen e Vuçiqit, edhe pse, sipas tij, politikanë evropianë dhe media ndërkombëtare i kanë kushtuar vëmendje të gjerë ngjarjes. Ai e vë këtë heshtje në kontrast me reagimet e Ramës ndaj protestuesve në Tiranë.
“Edhe pse për këtë ngjarje historike kanë folur të gjithë politikanët evropianë dhe mediat botërore, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka kyçur gojën. Sharje, fyerje dhe kërcënime për protestuesit e Tiranës, për studentët dhe rininë shqiptare, por asnjë fjalë për humbjen e mikut të tij në Beograd, Aleksandër Vuçiqin. Pse heshti dhe pse e vazhdon heshtjen Edi Rama?”, deklaron ai.
Sipas profesorit, marrëdhënia mes dy liderëve lidhet edhe me ardhjen e tyre në pushtet në periudha të përafërta, rreth 14 vjet më parë. Ai pretendon se bashkëpunimi i tyre u mbështet nga aktorë ndërkombëtarë, veçanërisht Bashkimi Evropian dhe ish-kancelarja gjermane Angela Merkel, me synimin për të ruajtur paqen, sigurinë dhe stabilitetin në Ballkan.
“Duhet thënë se Edi Rama dhe Aleksandër Vuçiq erdhën në pushtet thuajse në të njëjtën kohë, para 14 vitesh. Vuçiqi fillimisht ishte kryeministër, ndërsa më vonë president. Por gjithmonë ishte violina e parë e lidershipit serb. Rama dihet se çfarë pushteti ndërtoi në Shqipëri. Erdhën në pushtet pasi ata u morën vesh që t’i garantonin Bashkimit Evropian dhe sidomos Angela Merkelit se të dy do të garantonin paqen, sigurinë dhe stabilitetin ballkanik. Evropës i interesonte kjo gjë. Po ashtu edhe zonjës Merkel. Prandaj nuk patën kurrë vëmendje për korrupsionin e të dy autokratëve, as për shkeljen e lirive dhe të drejtave themelore të qytetarëve nga ata”, shprehet Bytyçi.
Ai pretendon se në vend të stabilitetit të premtuar, të dyja shtetet janë përballur me probleme të rënda politike e institucionale. Sipas vlerësimit të tij, korrupsioni dhe përqendrimi i pushtetit kanë sjellë destabilizim, ndërsa largimi i Vuçiqit mund të ketë pasoja edhe për Ramën.
“Tani arsyeja pse ata erdhën në pushtet është kthyer në të kundërtën e vet. Shteti kriminal e mafioz në Serbi e në Shqipëri, korrupsioni i shfrenuar tej çdo imagjinate, ka krijuar një situatë destabiliteti në të dyja vendet. Prandaj edhe ikja e Aleksandër Vuçiqit do të thotë automatikisht edhe ikje e Edi Ramës. Të dy do të shkojnë para drejtësisë, edhe pse ata kanë negociuar dhe negociojnë amnistinë. Të dy u larguan nga ideja e stabilizimit rajonal”, deklaron ai, duke parashikuar se ndryshimi politik në Serbi mund të shënojë fundin e bashkëpunimit mes dy liderëve dhe të ndikojë në të ardhmen politike të kryeministrit shqiptar.
Një tjetër kritikë e Bytyçit lidhet me çështjen e Kosovës. Ai pretendon se Rama dhe Vuçiq kanë bashkërenduar veprimet kundër qeverisë së Kosovës dhe kryeministrit Albin Kurti, si dhe kanë kundërshtuar përpjekjet për shtrirjen e sovranitetit shtetëror në veri.
Profesori e konsideron bashkëpunimin e tyre të dëmshëm për interesat e Kosovës dhe përmend si shembull Ballkanin e Hapur, të cilin e cilëson projekt në shërbim të interesave të Beogradit.
“Kanë bërë pazare bashkë. Kanë komplotuar kundër Kosovës dhe kundër Shqipërisë. Kanë punuar bashkë për ta zhbërë shtetin e Kosovës, për ta ndarë atë, ose më e pakta për ta nënshtruar sipas kërkesave të Beogradit dhe për ta detyruar që të bëhet pjesë e një Jugosllavie të Re. Kanë intriguar të dy kundër Kosovës. Kanë folur me liderët evropianë kundër qeverisë kosovare të Albin Kurtit. Kanë kritikuar në sinkron me njëri-tjetrin veprimet e zotit Kurti për shtrirjen e sovranitetit shtetëror në veri të Kosovës”, shprehet Bytyçi.
Ai shton se, sipas pretendimeve të tij, bashkëpunimi nuk është kufizuar te deklaratat, por ka përfshirë edhe përpjekje për të penguar njohje të reja për Kosovën dhe anëtarësimin e saj në organizata ndërkombëtare.
Bytyçi ngre gjithashtu pikëpyetje për përfitimet që Rama mund të ketë pasur nga marrëdhëniet me Beogradin dhe përmend mundësinë e marrëveshjeve të fshehta. Për këto pretendime, megjithatë, nuk paraqet prova konkrete.
“Të gjitha këto kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, i ka realizuar kundrejt një shpërblimi. Shpërblimi mund të jetë edhe në formën për të cilën fliste në fillim të shekullit të kaluar Nikolla Pashiq. Pra, një vagon me para. Ose në forma të tjera. Por, gjithsesi, Rama mbetet për jetë peng i marrëdhënieve të fshehta e të hapura me ish-presidentin serb, Aleksandër Vuçiqin”, deklaron Bytyçi.
Ballkanin e Hapur ai e paraqet si një nga nismat më të dëmshme për Kosovën dhe kundërshton idenë se ajo ishte hartuar për t’u shërbyer njësoj të gjitha vendeve të rajonit.
“Ballkani i Hapur ishte vepra më anti-Kosovë e Edi Ramës. Madje, autorësinë për krijimin e tij e pati marrë vetë ai, ndonëse gjithkush e di se autori i projektit ishte Beogradi. Ka shumë aspekte për të cilat në të ardhmen do të flitet bazuar në dokumente arkivore e ku Edi Rama do të provohet si kryeministri shqiptar më i miri për Serbinë në historinë e shtetit shqiptar”, thekson ai.
Në përmbyllje, Bytyçi parashikon se Rama mund të ndryshojë mënyrën si flet për Kosovën, pas humbjes së Vuçiqit, me synimin për t’u distancuar nga bashkëpunimi i deritanishëm. Megjithatë, sipas tij, deklaratat nuk do të mjaftojnë pa hapa konkretë politikë dhe institucionalë.
Si provë të qëndrimit të Ramës ndaj Kosovës, profesori përmend mundësinë që Kuvendi i Shqipërisë të miratojë rezolutën e propozuar nga opozita për dënimin e gjenocidit serb ndaj shqiptarëve.
“Kam përshtypjen se në retorikë kryeministri i Shqipërisë do të përpiqet të shfaqet pro Kosovës. Do ta ndryshojë tani që vëllai i tij nuk është në pushtet diskursin e tij për Kosovën. Por iniciativat e tij për Kosovën do të mungojnë. Nëse ai do të ishte pro Kosovës, atëherë do të duhej ta kalonte në parlament rezolutën e opozitës për të dënuar gjenocidin serb kundër shqiptarëve. Ky do të ishte akt dhe jo llafe”, përfundon Enver Bytyçi për gazetën Bota sot.





