Naim Qelaj për rastin Arlinda Zekaj: Shteti mund të ketë dështuar në parandalim

Avokati i Popullit, Naim Qelaj, tha sot se Kosova duhet të zhvillojë një debat në nivel nacional për ta trajtuar barazinë gjinore, dhunën ndaj grave dhe dhunën në familje si çështje me interes nacional.

Gjatë paraqitjes në Komisionin për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore dhe Peticione, ai foli edhe për vrasjen e Arlinda Zekajt në Vitomiricë të Pejës.

Të lidhura

None found

Sipas Qelajt, rasti tragjik i Arlinda Zekajt ka ngritur dyshime se institucionet shtetërore mund të kenë dështuar në parandalimin e ngjarjeve të tilla, raporton KosovaPress.

Arlinda Zekaj u vra të dielën në Vitomiricë të Pejës nga kunati i saj. Ngjarja u prit me reagime të ashpra nga qytetarët dhe institucionet, ndërsa prej disa ditësh në qytete të ndryshme të vendit po zhvillohen protesta.

Për këtë rast, sot dha dorëheqje drejtori i përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha. Një ditë më parë u suspenduan kryeprokurorja në Pejë, Lumturie Vuçetaj, prokurorja Arlinda Nallbani-Gacaferri dhe 11 zyrtarë policorë.


Shtuar më 30.10.2026 14:10