Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, ka bërë të ditur se ka miratuar vendimin për hapjen e konkursit për shkollim specialistik, ku janë në dispozicion gjithsej 313 vende.
Sipas tij, bëhet fjalë për konkursin e katërt për specializime të hapur në më pak se katër vjet. Në këtë proces, theksi është vendosur te profilet ku ka mungesa dhe te nevojat e institucioneve shëndetësore në rajone.
Të lidhura
None found
Një tjetër zhvillim i këtij konkursi është financimi, për herë të parë nga Ministria e Shëndetësisë, i 20 vendeve për specializim në Mjekësi Familjare.
Procesi i vlerësimit do të zhvillohet përmes një sistemi digjital. Kandidatët do t’i regjistrojnë të dhënat online, ndërsa platforma do t’i kalkulojë pikët në bazë të kritereve të përcaktuara në konkurs. Pas kontrollit nga Bordi, çdo kandidat do të mund të shohë pikët e tij.
Vitia ka njoftuar gjithashtu se në ditët në vijim pritet të hapet një konkurs i veçantë për shkollim specialistik, i cili do t’u përgjigjet nevojave të institucioneve shëndetësore private.
“Më shumë mundësi për mjekët tanë, më shumë transparencë në proces!”, është shprehur ministri Vitia, duke u dëshiruar sukses të gjithë kandidatëve.






