Vëmendja e mediave ndërkombëtare është përqendruar te protestat kundër qeverisë së kryeministrit Edi Rama, të zhvilluara në Tiranë.
Në një shkrim të publikuar më 20 tetor, gazeta amerikane “The Washington Post” ka trajtuar përplasjet mes demonstruesve dhe policisë, si dhe shtimin e pakënaqësisë ndaj qeverisë shqiptare.
Të lidhura
None found
Sipas raportimit, deputetët e opozitës ndërprenë seancën parlamentare duke ndezur flakadanë. Ky episod u regjistrua pas disa javësh protestash kundër qeverisë.
Veprimi i opozitarëve në Kuvend vjen në një klimë të tensionuar politike, ku përplasjet mes mazhorancës dhe opozitës janë shoqëruar me reagime të forta qytetare.
Pakënaqësia e shprehur në vend lidhet me një sërë çështjesh ekonomike dhe sociale. Ndër shqetësimet e qytetarëve janë çmimet e karburanteve, gjendja e shkollave, cilësia e shërbimeve publike dhe kostot e strehimit.
Shqipëria është përfshirë në një valë protestash të ngjashme me ato të zhvilluara edhe në vende të tjera evropiane, ku qytetarët kërkojnë ndryshime politike dhe kushte më të mira jetese.
Protestat nuk lidhen vetëm me kundërshtimin ndaj një projekti turistik luksoz në Shqipëri. Sipas artikullit, ato pasqyrojnë edhe shqetësime më të gjera për korrupsionin, arsimin, ekonominë dhe mënyrën e qeverisjes së vendit.
Përballjet mes demonstruesve dhe forcave të rendit kanë vijuar, duke e bërë situatën edhe më të tensionuar në rrugët e Tiranës.
“The Washington Post” vëren se vështirësitë ekonomike, problematikat e shërbimeve publike dhe pasiguria për të ardhmen, veçanërisht te të rinjtë, janë ndër faktorët që ushqejnë pakënaqësinë qytetare.
Kryeministri Edi Rama, nga ana e tij, i ka cilësuar zhvillimet si përpjekje për destabilizimin e qeverisë dhe ka deklaruar se dhuna nuk mund të përdoret për të justifikuar protestën.
Raportimi i medias amerikane e përshkruan valën e protestave dhe tensionet politike si një sfidë të rëndësishme për qeverinë shqiptare, ndërsa zhvillimet në Tiranë kanë tërhequr interes edhe përtej kufijve të vendit.







