Adelina Berisha: Institucionet duhet të japin llogari për dështimet në rastet e dhunës ndaj grave

Adelina Berisha nga Rrjeti i Grave të Kosovës ka komentuar protestat e zhvilluara pas rastit të Arlinda Zekajt, duke nënvizuar se reagimi i qytetarëve duhet të shërbejë si kërkesë për llogaridhënie institucionale dhe për ndryshimin e mënyrës se si trajtohen rastet e dhunës ndaj grave.

Sipas saj, përgjegjësia e institucioneve nuk duhet të shfaqet vetëm në ditët e para pas një ngjarjeje, por duhet të kthehet në një standard të qëndrueshëm të veprimit.

Të lidhura

None found

“Shpresojmë që ky të ketë qenë dhe të mbetet qëllimi i reagimit qytetar: t’i mbajmë institucionet përgjegjëse jo vetëm gjatë ditëve kur jemi në rrugë dhe kur ngjarja është ende e freskët në kujtesën tonë, por që kjo të bëhet praktikë dhe të ndryshohen mënyrat e trajtimit të rasteve. Duhet të ketë ndjekje penale. Prokuroria duhet të sqarojë nëse ka pasur bazë për ndëshkim për mosveprim. Nëse mosveprimi në rastet e dhunës ndaj grave konsiderohet vepër penale, atëherë duhet të merren edhe masat përkatëse”, ka deklaruar Berisha.

Ajo ka shprehur shqetësim për rikthimin në detyrë të zyrtarëve policorë pas periudhës së suspendimit, duke theksuar se mungesa e një ndëshkimi proporcional mund të nxisë tolerimin e dhunës dhe dështimin e institucioneve për t’i mbrojtur gratë.

“Kemi parë raste kur policët, pas 2-3 muajve, janë rikthyer në vendin e punës. Mendojmë se përmes këtyre praktikave shteti, në njëfarë mënyre, po e toleron dhe po e promovon dhunën, pasi nuk ka ndëshkueshmëri proporcionale as për ushtruesit e dhunës dhe as për zyrtarët që kanë detyrim ligjor t’i mbrojnë gratë, por kanë dështuar ta bëjnë këtë”, ka thënë ajo.


Shtuar më 29.10.2026 22:57