Në ditën e dytë të protestës për drejtësi për Arlinda Zekajn, e vrarë pak ditë më parë në Pejë, protestuesit u mblodhën para ndërtesës së Qeverisë.
Anitë Nikaj, njëra nga organizatoret, paraqiti kërkesat drejtuar institucioneve. Ajo kërkoi shkarkimin, ndjekjen penale dhe burgosjen e kryeprokurores së Prokurorisë së Pejës, Lumturije Vuçetajt, prokurores së rastit, Suada Ramza-Hamzajt, gjykatësit Migjen Kastrati, zyrtarit të gjykatës Shemsedin Haxhijaj, u.d. së drejtoreshës së QPS-së në Pejë, Shpresa Lungajt, si dhe policit Faruk Muqolli. Po ashtu, protestuesit kërkuan dorëheqjen e kryetarit të Pejës, Gazmend Muhaxherit, ministres së Drejtësisë, Donika Gërvalla, dhe ministrit të Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla.
Të lidhura
None found
“Kërkojmë shkarkimin, ndjekjen penale dhe burgosjen e kryeprokurores Lumturije Vuçetajt dhe prokurores së rastit, Suada Rama-Hamzajt. Kërkojmë burgosjen, shkarkimin dhe ndjekjen penale të zyrtarit të gjykatës Shemsedin Haxhijajt, si dhe shkarkimin, ndjekjen penale e burgosjen e gjykatësit Migjen Kastrati. Kërkojmë të njëjtat masa për u.d. të drejtoreshës së QPS-së në Pejë, Shpresa Lungajt, dhe për policin Faruk, të cilin e quajmë të lodhur. Kërkojmë dorëheqjen e kryetarit të Pejës, Gazmend Muhaxherit, ministres së Drejtësisë, Donika Gërvalla, dhe ministrit të Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla. Kërkesat tona janë të qarta: nuk duam suspendime, por shkarkime, burgosje dhe ndjekje penale”, tha Nikaj.
Një protestuese tjetër deklaroi se rasti e ka bërë edhe më të dukshme mënyrën se si, sipas saj, Policia e Kosovës i shpërfill dhe i nënvlerëson gratë e vajzat që raportojnë dhunë, madje kontribuon në rrezikimin e tyre.
Ajo tha se polici Faruk Muqolli ishte lodhur nga këmbëngulja e Arlindës për drejtësi dhe theksoi se protestuesit duhet të kërkojnë llogari nga policia.
“Kur Arlinda iu drejtua policisë për ndihmë kundër abuzuesve të saj, polici në detyrë i shpërfilli lutjet e saj deri në frymën e fundit. Ai i tha se nuk do të merrej më me të, sepse ishte lodhur nga kërkesat e saj për siguri dhe drejtësi. Ai ishte lodhur vetëm nga puna dhe detyra e vet, asgjë më shumë; Arlinda, me vetëdijen e saj të plotë, e dinte se policia po ia bënte edhe më të mundshme padrejtësinë. Këmbëngulja e saj për drejtësi e kishte lodhur policin, deri në vrasjen e saj. Tani është detyra jonë të sigurohemi që policia të japë llogari. Sot dhe çdo ditë tjetër nuk do të pranojmë që policia të paraqitet si institucion që mbron gratë, ndërkohë që ndihmon dhunën ndaj tyre. E kemi kuptuar me përgjegjësi të plotë se policia nuk na mbron. Kjo na ka kushtuar dhunë, nënçmim dhe vrasje. Ai polic përfaqëson krejt policinë; nuk është një defekt, por shfaqje e natyrshme e sistemit tonë të dhunshëm”, u shpreh ajo.
Policia e Kosovës ka pezulluar 11 zyrtarë për mënyrën si u trajtua rasti i Arlinda Zekajt në Vitomiricë të Pejës. Masa u mor pas rekomandimit të Inspektoratit Policor të Kosovës (IPK), i cili po kryen hetime paraprake për veprimet ose mosveprimet e tyre.
Ndërkaq, Këshilli Prokurorial i Kosovës, në mbledhjen e sotme, pezulloi kryeprokuroren e Pejës, Lumturije Vuçetaj, dhe prokuroren Arlinda Nallbani Gacaferi. Për të dyja është nisur gjithashtu procedurë hetimore.







