Ahmet Ismaili, guvernator i Bankës Qendrore të Kosovës (BQK), u takua me Dirk Schübelin, ambasadorin e ri të Bashkimit Evropian në Kosovë.
Me këtë rast, Ismaili e përgëzoi Schübelin për detyrën e re dhe falënderoi BE-në për përkrahjen e vazhdueshme në zhvillimin ekonomik e financiar të Kosovës, zbatimin e reformave institucionale dhe përafrimin me standardet evropiane.
Të lidhura
None found
Gjatë bisedës, guvernatori paraqiti ecurinë e sektorit financiar, duke nënvizuar qëndrueshmërinë dhe kontributin e tij në zhvillimin ekonomik. Ai foli edhe për zbatimin e Planit Strategjik të BQK-së, përparimin në kuadrin ligjor e rregullativ, mbikëqyrjen financiare dhe ngritjen e kapaciteteve institucionale, në përputhje me standardet dhe praktikat më të mira evropiane.
Sipas njoftimit, një pjesë e rëndësishme e takimit iu kushtua integrimit të Kosovës në Zonën Unike të Pagesave në Euro (SEPA) dhe përditësimit të infrastrukturës së pagesave. Ismaili dhe zëvendësguvernatori Dardan Fusha informuan ambasadorin për hapat e ndërmarrë për të përmbushur kriteret ligjore e teknike të aplikimit. Mes tyre janë miratimi i ndryshimeve ligjore kundër pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit, si dhe masat për të luftuar falsifikimin e parasë e për të ruajtur integritetin e euros. BQK-ja, u tha në takim, ndodhet në fazën përfundimtare të përgatitjeve për të përmbyllur hapat e aplikimit pranë Këshillit Evropian të Pagesave (EPC), në bashkërendim me institucionet përkatëse të BE-së.
Po ashtu, u shqyrtua projekti TIPS Clone për zhvillimin e pagesave të shpejta, si pjesë e reformave që synojnë modernizimin e shërbimeve të pagesave dhe përafrimin e tyre me infrastrukturën evropiane.
Ismaili tha se anëtarësimi në SEPA dhe përparimi drejt sistemeve evropiane të pagesave janë përparësi strategjike për BQK-në, si dhe hapa të rëndësishëm drejt integrimit financiar e ekonomik të Kosovës me BE-në. Synimi është që qytetarët dhe bizneset të përfitojnë nga pagesa ndërkufitare më të shpejta, më të sigurta dhe me kosto më të ulët.
Diskutimet përfshinë gjithashtu integritetin e sistemit financiar, sigurinë kibernetike, mbrojtjen e konsumatorëve dhe zgjerimin e qasjes në shërbimet financiare. Guvernatori shprehu mirënjohje për ndihmën dhe bashkëpunimin e institucioneve të BE-së, Bankës Qendrore Evropiane dhe bankave qendrore të Eurosistemit në zbatimin e reformave dhe forcimin e kapaciteteve të BQK-së.
Ambasadori Schübel, nga ana e tij, rikonfirmoi përkushtimin e BE-së për ta mbështetur Kosovën në reforma dhe në rrugën e integrimit evropian. Kjo përfshin edhe procesin e anëtarësimit në SEPA, përafrimin e legjislacionit me standardet evropiane dhe zhvillimin e mëtejshëm të sektorit financiar.
Në mbyllje të takimit, palët u shprehën të gatshme të thellojnë bashkëpunimin institucional dhe koordinimin për përmbushjen e synimeve të përbashkëta, duke u përqendruar te stabiliteti financiar, modernizimi i sistemeve të pagesave dhe integrimi financiar i Kosovës në Bashkimin Evropian.







