Natyra Kuçi: Lindën e kërcënoi dhe e sulmoi kunati, por ai nuk u mbajt në paraburgim

Natyra Kuçi, përfaqësuese e Partisë Socialdemokrate (PSD), ka reaguar pas vrasjes së një gruaje në Pejë, duke kritikuar institucionet shtetërore për mënyrën se si është trajtuar rasti i saj para se të ndodhte vrasja.

Përmes një postimi në ‘Facebook’, Kuçi ka pretenduar se viktima ishte kërcënuar dhe sulmuar më herët, raportoi Insajderi.

Të lidhura

None found

“Kunati e kërcënoi dhe e sulmoi, por mbeti i lirë. Linda u detyrua të kthehej për ta kërkuar djalin, e vetme, pa mbështetje, pa siguri”, ka deklaruar Kuçi.

Ajo ka fajësuar sistemin gjyqësor, Policinë dhe shërbimet e mirëqenies sociale, duke thënë se këto institucione dështuan ta mbronin Lindën. Sipas saj, vrasja ishte rezultat i një varg dështimesh institucionale.

Kuçi ka thënë se Linda nuk kishte mundur ta takonte djalin e saj për muaj të tërë, ndonëse, sipas pretendimeve të saj, gjykata ia kishte njohur këtë të drejtë. Ajo ka shtuar se bashkëshorti i Lindës ishte liruar pa u bërë 48 orë nga ajo që e cilësoi si kidnapim të djalit.

“Lindën shteti e la vetëm, si shumë gra të tjera. Asaj iu pamundësua ta shihte djalin për muaj të tërë. Djali iu mor nga duart edhe pasi ajo e fitoi të drejtën për të në gjykatë”, ka shkruar Kuçi.


Shtuar më 26.10.2026 07:42