Pas arrestimit të bashkëshortit, kunati dyshohet se vrau gruan në Pejë – policia zbardh detajet

Policia e Kosovës ka dhënë informacionet e para lidhur me ngjarjen e rëndë në Vitomiricë të Pejës, ku një grua u gjet e pajetë të dielën në mbrëmje, pak kohë pasi në polici ishte raportuar një rast i dhunës në familje.

Rreth orës 19:00, zyrtarët policorë në Pejë morën njoftim për dhunë në familje. Gruaja u shoqërua në stacion dhe u intervistua, ndërsa në polici u mor në pyetje edhe bashkëshorti i saj. Ky i fundit u arrestua dhe u dërgua në mbajtje për 48 orë.

Të lidhura

None found

Pas përfundimit të procedurave policore, gruaja u kthye me dëshirën e saj në banesën e familjes në Vitomiricë.

Megjithatë, rreth orës 21:10, autoritetet u informuan se ajo ishte gjetur pa shenja jete. Në vendngjarje shkuan njësitë e Policisë së Kosovës dhe ekipi mjekësor, i cili konfirmoi vdekjen.

Sipas të dhënave fillestare të policisë, dyshohet se viktima ka vdekur si pasojë e goditjeve të marra me një mjet të fortë.

Për vrasjen e dytë dyshohet kunati i gruas, i cili aktualisht ndodhet në arrati.

Rasti i është përcjellë Prokurorit të Shtetit, i cili ka qenë në vendin e ngjarjes. Policia njoftoi se hetimet po vijojnë për sqarimin e plotë të rrethanave të vrasjes, si dhe për lokalizimin dhe arrestimin e të dyshuarit.


Shtuar më 26.10.2026 07:43