“Uroj që ju dhe institucionet përgjegjëse të mos detyroheni të përgjigjeni vetëm pasi të jetë marrë jeta ime.” Kështu shkruante Arlinda Sylaj Zekaj në letrën që ia drejtoi Kryeprokurores së Prokurorisë Themelore në Pejë, e pranuar dhe vulosur më 22 tetor 2026.
Vetëm tri ditë pas dorëzimit të letrës, më 25 tetor, 49-vjeçarja u vra në shtëpinë e saj në Vitomiricë. Për ngjarjen dyshohet kunati i saj.
Të lidhura
None found
Media ka siguruar dokumentin, në të cilin Arlinda kërkonte reagim urgjent nga institucionet, zbatimin e një urdhri gjyqësor dhe nisjen e hetimeve ndaj zyrtarëve që, sipas saj, nuk kishin përmbushur detyrat e tyre.
Letra ishte adresuar te Kryeprokurorja dhe ishte shënuar si urgjente. Në përmbajtjen e saj, Arlinda shprehte qartë frikën për jetën dhe paralajmëronte se rreziku me të cilin përballej nuk po merrej seriozisht.
Ajo kërkonte që të merreshin masa ndaj zyrtarëve përgjegjës, duke pretenduar se institucionet po ia kalonin përgjegjësinë njëra-tjetrës, ndërkohë që kërcënimi ndaj saj vazhdonte.
Gjithashtu, Arlinda kërkonte zbatimin e menjëhershëm të urdhrit gjyqësor dhe hetimin e zyrtarëve të përfshirë në këtë çështje, duke nisur nga Qendra për Punë Sociale.
“Kjo është shtesa ime e fundit”, kishte shkruar ajo në dokument, përpara se të shprehte shqetësimin se institucionet mund të jepnin llogari vetëm pasi jeta e saj të ishte marrë.
Mesazhi i fundit në letër ishte: “Tani po e kuptoj pse ka kaq shumë vrasje!”

Më 25 tetor, tri ditë pasi Prokuroria kishte pranuar letrën, Arlinda u gjet e vrarë në dhomën e gjumit të banesës së saj, në rrugën “Man Dedushaj”, në Vitomiricë.




