Prej më shumë se 20 vjetësh, ushtarët amerikanë në Kosovë janë pjesë e misionit paqeruajtës të NATO-s dhe një prej shtyllave kryesore të sigurisë së vendit.
Por, teksa Uashingtoni po rishqyrton angazhimin ushtarak në Evropë dhe kërkon që shtetet evropiane të marrin më shumë përgjegjësi për mbrojtjen e kontinentit, e ardhmja e pranisë amerikane në Kosovë po vihet në një kontekst të ri.
Të lidhura
None found
Në këtë proces bën pjesë edhe NATO 3.0, koncept që synon rishpërndarjen e përgjegjësive mes aleatëve në të dy anët e Atlantikut. Zhvillimet që lidhen me këtë qasje prekin edhe Kosovën.
KFOR-i, misioni i NATO-s që ndodhet në Kosovë që prej përfundimit të luftës më 1999, po kalon nëpër një proces riorganizimi. Prania amerikane, që pas luftës përbëhej nga mijëra ushtarë, sot numëron më pak se 600.
Deri tani nuk është konfirmuar ndonjë vendim për shkurtim të mëtejshëm të këtij kontingjenti. Sidoqoftë, ristrukturimi i forcave amerikane dhe planet për riorganizimin e KFOR-it kanë nxitur diskutime për një ndryshim të mundshëm të rolit të SHBA-së në sigurinë e Kosovës.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka kërkuar që angazhimi ushtarak amerikan të jetë i qëndrueshëm dhe që kampi Bondsteel të kthehet në bazë të përhershme të Shteteve të Bashkuara.
Kurti ka thënë se një prani e tillë do të garantonte paqen dhe sigurinë në Kosovë e rajon, ndërsa Bondsteel do të shërbente si bazë strategjike për operacionet e NATO-s në Evropën Juglindore.
Ndryshimi i komandës në Bondsteel ngre pikëpyetje
Më 12 tetor, në kampin Bondsteel u ndryshua struktura komanduese e forcave amerikane në Kosovë. Për herë të parë në më shumë se dhjetë vjet, drejtimin e Komandës Rajonale Lindje të KFOR-it e morën njësitë aktive të Ushtrisë amerikane, duke zëvendësuar Gardën Kombëtare të Floridës.
Ky veprim mund të shihet si ndryshim teknik, por ndodhi në kohën kur Uashingtoni po rishikon praninë e vet ushtarake në Evropë. Garda Kombëtare, jashtë periudhave të mobilizimit, zakonisht shërben me kohë të pjesshme; njësitë aktive, ndërkaq, përbëhen nga ushtarë që shërbejnë me kohë të plotë.
Ushtria amerikane e shpjegoi rotacionin me disponueshmërinë e forcave dhe kërkesat e misionit. Ajo nuk tregoi nëse ndërrimi sjell ndryshime edhe në numrin e trupave, kapacitetet apo detyrat e tyre në Kosovë.
Radio Evropa e Lirë iu drejtua Departamentit amerikan të Luftës për sqarime rreth rotacionit dhe planeve për praninë e SHBA-së në Kosovë gjatë viteve 2026 dhe 2027, por nuk mori përgjigje.
Shenja për përshtatje të mundshme ishin shfaqur edhe më herët. Në qershor, Komanda Evropiane e SHBA-së i tha Radios Evropa e Lirë se kontributi amerikan në KFOR do të përshtatej gradualisht, në përputhje me një rishikim të drejtuar nga strukturat ushtarake të NATO-s. Edhe atëherë, nuk u dhanë hollësi për natyrën dhe shkallën e ndryshimeve.
Tashmë NATO-ja thotë se riorganizimi i KFOR-it është duke u zhvilluar dhe e lidh atë me kalimin drejt konceptit NATO 3.0. Sipas një zyrtari të Aleancës, synimi është ruajtja e të njëjtit efekt strategjik, por me shfrytëzim më efikas të burimeve dhe udhëheqje të vazhdueshme evropiane.
Aleanca nënvizon se mandati i KFOR-it, i përcaktuar nga Kombet e Bashkuara, nuk ka ndryshuar. Po ashtu, ajo thotë se mbetet e përkushtuar ndaj sigurisë së të gjitha komuniteteve në Kosovë dhe stabilitetit në Ballkanin Perëndimor.
NATO-ja nuk sqaroi, megjithatë, nëse rotacioni në Bondsteel është pjesë e procesit të riorganizimit. Pa përgjigje ndaj pyetjeve të Radios Evropa e Lirë mbetën edhe Qeveria dhe Ministria e Mbrojtjes e Kosovës, të cilave iu kërkua të tregonin nëse janë njoftuar për ndryshime të mundshme në kontingjentin amerikan dhe nëse kanë marrë garanci për vazhdimin e pranisë së SHBA-së në KFOR.
Uashingtoni synon një ndarje tjetër të përgjegjësive
Situata në Kosovë është vetëm një pjesë e rishikimit më të gjerë të rolit ushtarak amerikan në Evropë. Për shumë dekada, SHBA-ja ka siguruar një pjesë të konsiderueshme të forcave, pajisjeve dhe kapaciteteve që mbështesin mbrojtjen e kontinentit.
Administrata amerikane tani kërkon që përgjegjësitë të ndahen ndryshe. Në shkurt, zyrtari i lartë i Pentagonit Elbridge Colby paraqiti vizionin e NATO 3.0, sipas të cilit Evropa do të merrte rolin kryesor në mbrojtjen konvencionale të kontinentit, ndërsa SHBA-ja do të vazhdonte të ishte pjesë e Aleancës me rol të ripërcaktuar.
Katër muaj më pas, më 18 qershor, sekretari amerikan i Mbrojtjes, Pete Hegseth, njoftoi se do të shqyrtohej dislokimi i forcave amerikane në Evropë. Ai tha se Departamenti i Luftës do ta kryente këtë rishikim dhe do të vlerësonte edhe bazat ushtarake gjatë gjashtë muajve të ardhshëm.
Vlerësimi nuk kufizohet te numri i ushtarëve që mund të qëndrojnë në kontinent. Një analizë e Qendrës për Studime Strategjike dhe Ndërkombëtare (CSIS), e publikuar në gusht, thotë se shqyrtimi përfshin edhe vendndodhjen e forcave dhe kapacitetet ushtarake që Uashingtoni do të vazhdojë t’i ofrojë NATO-s.
Sipas burimeve të Radios Evropa e Lirë, rezultatet e procesit mund të bëhen publike rreth fundit të nëntorit dhe të japin më shumë qartësi për planet e Pentagonit në Kosovë.
Jim Townsend, ish-zëvendës i ndihmësit të sekretarit amerikan të Mbrojtjes, pret që kontingjenti amerikan në Kosovë të përfshihet në rishikim. Ai thekson se vendimet për KFOR-in do të lidhen me prioritetet e tjera ushtarake të Shteteve të Bashkuara.
Townsend i tha programit Expose të Radios Evropa e Lirë se kontributi amerikan do të përcaktohet në përputhje me vendimin e Aleancës. Ai shpjegoi se, kur NATO-ja rishikon dislokimin e forcave, si në rastin e KFOR-it, shtetet anëtare mund të dakordohen për drejtimin që duhet ndjekur e më pas të përcaktojnë llojet e forcave që kërkohen për ta zbatuar atë.
Rishpërndarja e përgjegjësive mes Evropës dhe SHBA-së ka ndodhur vazhdimisht që nga fundi i Luftës së Ftohtë. Townsend, megjithatë, vëren se këtë herë trysnia amerikane ndaj aleatëve evropianë mund t’i përshpejtojë dhe t’i zmadhojë ndryshimet.
Evropa mund të marrë më shumë përgjegjësi, por a i ka kapacitetet?
Rritja e përgjegjësisë evropiane nuk nënkupton vetëm shtimin e trupave. Operacionet e NATO-s janë mbështetur për dekada në kapacitete amerikane që shumë vende evropiane nuk i kanë në të njëjtën masë.
Këto përfshijnë inteligjencën dhe vëzhgimin, transportin strategjik, furnizimin e avionëve me karburant gjatë fluturimit, mbrojtjen ajrore dhe sistemet për goditje në distanca të gjata. Disa prej tyre mund të zhvendosen ose të pakësohen, në varësi të përparësive të reja të SHBA-së.
Townsend thotë se aleatët evropianë po shqyrtojnë si t’i kompensojnë ndryshimet e mundshme, por pajisjet, personeli i specializuar dhe aftësia për të vepruar së bashku nuk mund të sigurohen menjëherë.
Ai vë në dukje se ushtria amerikane zotëron më shumë kapacitete dhe pajisje se ushtritë evropiane. Edhe kur këto të fundit kanë pajisje të ngjashme, numri i tyre është më i vogël, ndaj plotësimi i mangësive kërkon kohë.
Sfidat për mbrojtjen e Evropës në tërësi nuk janë domosdoshmërisht të njëjta me ato të KFOR-it. Ky mision nuk është krijuar për mbrojtjen konvencionale të territorit të NATO-s, por për të kontribuar në një mjedis të sigurt dhe në lirinë e lëvizjes.
Rëndësia e KFOR-it u vu në pah edhe gjatë tensioneve në veriun e Kosovës, ku shumica e banorëve janë serbë. Në përplasjet e vitit 2023 u plagosën edhe pjesëtarë të misionit.
Sipas ndarjes aktuale të përgjegjësive për sigurinë, Policia e Kosovës reagon e para, EULEX-i i dyti dhe KFOR-i i treti. Misioni ka gjithashtu forca rezervë, të cilat mund të dërgohen në rast se situata përkeqësohet.
Shumica e trupave të KFOR-it vijnë tashmë nga shtetet evropiane dhe misioni drejtohet nga një komandant evropian. Një analizë e Qendrës Ndërkombëtare për Mbrojtje dhe Siguri (ICDS), e botuar në shtator, vlerëson se zëvendësimi i kapaciteteve amerikane në KFOR do të ishte më i lehtë për Evropën sesa zëvendësimi i kontributit të SHBA-së në mbrojtjen e përgjithshme të kontinentit.
Rëndësi ka edhe mesazhi që përcjell prania amerikane
Edhe nëse shtetet evropiane zëvendësojnë një pjesë të trupave amerikane, efekti i pranisë së KFOR-it nuk është i sigurt se do të mbetet i pandryshuar. Për ekspertët, rëndësia e ushtarëve amerikanë në Kosovë lidhet jo vetëm me aftësitë e tyre ushtarake, por edhe me sinjalin politik e strategjik që jep prania e SHBA-së.
Michael O’Hanlon, ekspert i mbrojtjes në Institutin Brookings në Uashington, nuk mendon se do të kishte pengesa të mëdha për zëvendësimin e aftësive luftarake amerikane në Kosovë. Shqetësimi i tij lidhet me mesazhin që mund të përcillte një zvogëlim i madh i forcave ose tërheqja e plotë e tyre.
O’Hanlon i tha Expose-së se nuk shqetësohet aq për kapacitetet luftarake, por për praninë e një numri të caktuar ushtarësh amerikanë në Kosovë. Sipas tij, ndoshta disa qindra do të mjaftonin për të dëshmuar angazhimin e SHBA-së dhe për të shmangur përshtypjen se vendi ka humbur interesimin për Kosovën.
Edhe analiza e ICDS-së paralajmëron për pasoja politike në rast të tërheqjes amerikane. Sipas saj, kjo mund të ndikojë në llogaritjet e forcave nacionaliste serbe në Kosovë, ndërsa Rusia mund ta shohë si zhvillim që u shërben interesave të saj.
Koloneli amerikan në pension Ray Wojcik, nga Qendra Ndërkombëtare për Mbrojtje dhe Siguri, thotë se çështja nuk lidhet vetëm me Kosovën. Sipas tij, përqendrimi më i madh i SHBA-së në Paqësor nuk duhet të bëhet duke pakësuar praninë e saj në Evropë.
Wojcik i tha Radios Evropa e Lirë se udhëheqja evropiane nuk duhet të nënkuptojë mungesën e Amerikës. Ai paralajmëroi se zvogëlimi i ndjeshëm i forcave amerikane në Evropë, përfshirë Ballkanin, me qëllim përqendrimin në Paqësor, mund ta dobësojë ndikimin e SHBA-së.
Sipas tij, Shtetet e Bashkuara kanë nevojë për aleatët dhe siguria e Evropës mbetet e lidhur ngushtë me sigurinë globale.
Për rotacionin e fundit në Bondsteel, Wojcik përmendi disa arsye të mundshme: riorganizimin e forcave, gatishmërinë e njësive ose gjendjen e sigurisë. Ai tha se nuk mund të përcaktojë se cila prej tyre e shpjegon vendimin amerikan.
O’Hanlon nuk sheh arsye për alarm në këtë fazë, por thotë se zhvillimet e ardhshme në Uashington duhen ndjekur nga afër. Ai vuri në dukje se disa zyrtarë në Pentagon po përpiqen ta zvogëlojnë dukshëm angazhimin amerikan në Evropë dhe se presidenti e nënpresidenti i SHBA-së kanë qëndrime të përziera ndaj NATO-s.
Ai shtoi se kjo kërkon vigjilencë dhe vëmendje, si dhe kundërshtim të këtyre përpjekjeve nëse bëhet e nevojshme, ndonëse ende nuk e konsideron situatën alarmante.
Sipas të dhënave të publikuara gjatë vitit 2026, në Evropë janë të dislokuar rreth 80 mijë ushtarë amerikanë. Ata shërbejnë në baza të përhershme ose me rotacion, në vende që përfshijnë Gjermaninë, Italinë, Poloninë dhe Rumaninë, dhe kontribuojnë në sigurinë e kontinentit.
Kosova përbën një pjesë të vogël të kësaj harte, por, siç paralajmëron Wojcik, një tërheqje e plotë amerikane mund të ketë kosto për rajonin. / REL






