Thirrja e Berishës: Pedagogë e mësues bashkohuni! Bizneset të ulin qepenat, mbroni rininë studentore

Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka akuzuar kryeministrin Edi Rama se, në vend që të japë dorëheqjen, po përpiqet t’ua paraqesë studentëve shkarkimin e ndonje drejtuesi.

Ai deklaroi se Partia Demokratike, e ka mbështetur protestën studentore dhe do të vijojë ta mbështesë atë, duke u bërë thirrje demokratëve dhe qytetarëve që t’i bashkohen protestuesve.

Të lidhura

None found

“Rama në vend të dorëheqjes kërkon t`i servirë studentëve shkarkimin e Hitës apo ndonjë tjetër. Në një kohë kur ai qëndron vetë direkt prapa urdhrit. PD ka mbështetur me të gjithë potencialin e saj dhe do të mbështesë me të gjithë potencialin e saj protestën studentore, ndaj dhe jam këtu për tu bërë thirrje demokratëve dhe mbarë qytetarëve, të lënë cdo gjë dhe të bashkohen në këto momente historike për të mbrojtur dhe mbështetur fuqimisht studentët dhe protestën e tyre”, tha Berisha.

Kreu i PD-së iu drejtua gjithashtu pedagogëve dhe mësuesve, duke u kërkuar të rreshtohen në krah të studentëve dhe nxënësve. Ai paralajmëroi masa të rrepta ndaj personave ushtrojnë presion mbi të rinjtë për të zbatuar urdhrat e qeverisë.

“Ju bëj thirrje të gjithë pedagogëve, mësuesve të rreshtohen bashkë me nxënësit e tyre në anën e drejtë të historisë, kundër këtij regjimi të urryer. Si kundër paralajmëroj se në mënyrë absolute do mbahen qëndrimet më të rrepta ndaj mercenarëve që kërkojnë të trysnojnë nxënësit apo studentët duke zbatuar urdhrat e regjimit. Para studentëve dhe nxënësve është historia. Sot çdo biznes i vogël duhet të ulë qepenat dhe të hidhet grevë së bashku me rininë studentore kundër regjimit”, u shpreh kreu i PD.


Shtuar më 14.10.2026 13:04