Komisioni për Legjislacion, Mandate, Imunitete, Rregulloren e Kuvendit dhe Mbikëqyrjen e Agjencisë për Parandalimin e Korrupsionit ka vendosur të krijojë grupin punues për Projektligjin për Byronë Shtetërore dhe verifikimin e konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme.
Të lidhura
None found
Grupi do të drejtohet nga Vigan Qorrolli dhe do të përfshijë përfaqësues të disa subjekteve politike. Në të bëjnë pjesë Adnan Rrustemi nga Lëvizja Vetëvendosje, Përparim Gruda dhe Blerta Deliu nga Partia Demokratike e Kosovës, Doarsa Kica-Xhelili nga Lidhja Demokratike e Kosovës, Albert Kinolli nga Partia Rome e Bashkuar e Kosovës dhe Besnik Tahiri nga Aleanca.
Gjatë mbledhjes së komisionit, Adnan Rrustemi deklaroi se grupet punuese krijohen për ta bërë më efikase punën e komisionit. Ai tha se deputetët që kanë interes duhet të mund të marrin pjesë në shqyrtimin e projektligjit, pa kufizime të panevojshme procedurale.
Rrustemi sqaroi gjithashtu se në grupin punues nuk merren vendime me votim për propozimet apo nenet. Sipas tij, aty zhvillohet trajtimi nen për nen i projektligjit, paraqiten argumentet dhe çështjet i rikthehen më pas komisionit për votim. Ai theksoi se në këtë proces argumenti ka rëndësi, ndërsa vota në grupin punues nuk ka peshë.



