Ndalimi i Gani Gecit për 48 orë është urdhëruar nga prokurori kujdestar mbi bazën e dyshimit të bazuar se ka kryer veprën penale “Kanosja”, të parashikuar në nenin 181 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës. Këtë e ka sqaruar Prokuroria Themelore në Prishtinë në njoftimin me hollësi të reja për rastin, transmeton “Bota sot”.
Rasti lidhet me dyshimet se Geci ka kanosur gazetarin Lirim Mehmetaj. Sipas sqarimeve të Prokurorisë, G.G. dyshohet ta ketë kanosur L.M. për arsye që lidhen me ushtrimin e detyrës dhe profesionit të gazetarit.
Të lidhura
None found
Gjatë hetimeve është marrë në pyetje i dyshuari, ndërsa gazetari është intervistuar në cilësinë e të dëmtuarit. Për të sqaruar plotësisht rrethanat e rastit dhe për të siguruar provat relevante, prokurori që trajton çështjen i ka dhënë autorizim Policisë së Kosovës të kryejë veprimet e nevojshme hetimore.
Në të njëjtin njoftim, Prokuroria Themelore në Prishtinë ka riafirmuar angazhimin e saj për të mbrojtur gazetarët, për të garantuar sigurinë e tyre dhe për të respektuar lirinë e shprehjes.





