Gazment Bardhi, kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, ka reaguar lidhur me tenderin e ri prej 18.6 milionë eurosh pa TVSH, të shpallur nga Korporata Elektroenergjetike Shqiptare (KESH) për shërbimet e operimit dhe mirëmbajtjes së dy termocentraleve lundruese të Vlorës, të cilët njihen si “Tigrat”.
Në deklaratën e tij, Bardhi e konsideron këtë kontratë si një etapë tjetër të asaj që ai e quan një aferë korruptive, duke theksuar se shpenzimet e përgjithshme të projektit po shkojnë drejt shifrës 100 milionë euro.
Të lidhura
None found
Sipas deputetit demokrat, marrëveshja e re mbulon funksionimin dhe mirëmbajtjen e dy termocentraleve gjatë dy viteve të ardhshme, ndërkohë që kostot e karburantit dhe elemente të tjera do të paguhen më vete nga KESH.
Bardhi bën me dije se rreth 70 milionë euro tashmë janë shpenzuar për këtë projekt, ndërsa energjia e prodhuar nga termocentralet ka kushtuar afërsisht 675 euro për megavat-orë, në krahasim me 111 euro për megavat-orë që ishte çmimi më i lartë në bursë, sipas të dhënave që ai paraqiti.
Ai vë në dukje se me kontratën e re, fatura për dy termocentralet lundruese mund të prekë gati 100 milionë euro, duke ngritur pikëpyetje mbi dobinë dhe përfitimin publik të këtij investimi.
REAGIMI I KRYETARIT TË GRUPIT PARLAMENTAR TË PD, GAZMENT BARDHI
Tigrat 1 dhe 2, një kontratë e re për një aferë të vjetër korruptive!
Edhe pse më përjashtoi për 60 ditë nga Parlamenti në kundërshtim me Rregulloren, Edi Rama mendon se do të më heshtë për korrupsionin e qeverisë së tij, që po u rrënon jetën shqiptarëve.
Çështja e “Tigrave të Vlorës”, dy karakatinave lundruese që po u kushtojnë qytetarëve mbi 100 milionë euro, është një tjetër arsye për të cilën nuk do të hesht.
Sot, Edi Rama e ka thelluar më tej aferën korruptive që nisi me kontratën e nënshkruar nga Belinda Balluku për dy termocentralet lundruese të Vlorës.
KESH ka shpallur fituesin e një tenderi të ri prej 18.6 milionë eurosh, pa TVSH, për operimin dhe mirëmbajtjen e dy Tigrave për dy vitet e ardhshme. Bëhet fjalë pra për një kontratë të re miliona eurosh për të mbajtur në punë dy termocentrale që Shqipërisë nuk i duhen. Dhe kjo nuk është shuma përfundimtare: karburanti dhe zëra të tjerë, që mbulohen veçmas nga KESH, do t’i shtohen parave që shqiptarët duhet të paguajnë për favore dhe përfitime personale të Edi Ramës në shërbim të pushtetit të tij.
Ky është akti i dytë i po së njëjtës aferë korruptive.
Akti i parë nisi me kontraktimin e dy termocentraleve lundruese nga Belinda Balluku, me pretekstin e një krize energjetike që nuk erdhi kurrë. Për këtë aferë, kam depozituar në SPAK një kallëzim penal të shoqëruar me dokumente zyrtare që dëshmojnë paracaktimin e fituesit, garën fiktive, favorizimin e kompanisë dhe kostot e pajustifikuara.
Rreth 70 milionë euro janë paguar deri tani për këtë projekt, ndërsa ajo pak energji që kanë prodhuar këto termocentrale ka kushtuar rreth 675 euro për MWh, kundrejt 111 eurove në pikun e çmimeve të bursës. Energjia e “Tigrave të Korrupsionit” të Ramës dhe Ballukut na ka kushtuar gjashtë herë më shtrenjtë.
Me kontratën e re, fatura e “Tigrave të KORRUPSIONIT” po i afrohet 100 milionë eurove për diçka që vendit nuk i duhet dhe që nuk sjell asnjë përfitim publik.
Sa miliona të tjera duhet të paguajnë shqiptarët që SPAK-u të veprojë?
Pse SPAK-u ngec sa herë që gjurmët e korrupsionit të denoncuar çojnë te Belinda Balluku dhe Edi Rama? Pse nuk ndjek rrugën e parave për të zbuluar kush përfiton nga këto kontrata?
Mjafton të ndiqen paratë. Aty ndodhen edhe përgjigjet që i mungojnë SPAK-ut.






