Një automjet ka përplasur mbrëmjen e sotme një 40-vjeçar që po lëvizte me biçikletë në fshatin Poshnje, në aksin nacional Berat–Ura e Kuçit, dhe më pas është larguar nga vendi i ngjarjes.
Endri Selfaj u gjet i shtrirë në rrugë nga disa kalimtarë, të cilët njoftuan policinë për aksidentin.
Të lidhura
None found
Fillimisht, 40-vjeçari u transportua me ambulancë në Urgjencën e Spitalit Rajonal të Beratit, ku mori ndihmën e parë. Për shkak të plagëve, ai u dërgua më pas në Spitalin e Traumës në Tiranë për trajtim të specializuar.
Forca të shumta policie mbërritën në vendngjarje dhe nisën veprimet e para hetimore. Për gjetjen e automjetit dhe kapjen e drejtuesit të tij, janë sekuestruar pamjet e kamerave të sigurisë të bizneseve dhe banesave përgjatë këtij aksi rrugor.
Ndërkohë, hetimet vijojnë për sqarimin e plotë të rrethanave të aksidentit dhe identifikimin e drejtuesit, i cili u largua pa i dhënë ndihmë të plagosurit.






