Jam udhëheqës i milicisë serbe, do hakmerremi ndaj jush/ Zbulohet nga ku u dërgua Email-i kërcënues ndaj institucioneve

Emaili me mesazhin kërcënues drejtuar disa institucioneve paraditen e kësaj të premteje, është dërguar nga Kolumbia. Autoritetet kanë mësuar se Email-i është dërguar nga Unitropico, Universiteti Ndërkombëtar i Tropikut Amerikan, një universitet publik në Yopal të Kolumbisë.

Gjithashtu, dyshohet se adresa nga është dërguar emaili dyshohet të jetë e hakeruar.

Të lidhura

None found

Pas kërcënimit, policia nisi verifikim dhe tha se nuk është konstatuar asnjë rast me lëndë plasëse.

“Në adresat elektronike zyrtare të disa institucioneve shtetërore është dërguar një mesazh kërcënues, në të cilin pretendohet për vendosjen e lënde shpërthyese në ambientet e tyre.

Policia e Shtetit ka nisur menjëherë verifikimet. Deri tani, nuk është evidentuar asnjë rast i vendosjes së lëndëve shpërthyese.

Nën drejtimin e Prokurorisë, strukturat e specializuara të Policisë së Shtetit vijojnë punën për identifikimin e burimit të mesazhit”, thuhet në njoftimin e Policisë.

Në emailin e dërguar në 150 adresa të institucioneve, autori prezantohet si “udhëheqës i milicisë serbe” dhe përdor gjuhë kërcënuese ndaj institucioneve që kanë marrë komunikimet.

“Përshëndetje. Jam udhëheqësi i Milicisë Serbe. Kemi ardhur të hakmerremi ndaj jush. Sapo kam vendosur personalisht një mjet shpërthyes në ndërtesën tuaj. Shpërthimi do të ndodhë pas një ore. Nga ju do të mbeten vetëm copa mishi. Do të vrasim shqiptarë derisa ta njihni Kosovën si territor të Serbisë. FAT TË MBARË”, thuhet në email.


Shtuar më 9.10.2026 12:21