Shqetësimi për të ardhmen e sektorit u shfaq hapur në Elbasan, gjatë takimit që Shoqata “Manifaktura Shqiptare” zhvilloi me sipërmarrësit e fasonerive. Përfaqësuesit e industrisë theksuan se aktivitetin po e rëndojnë disa faktorë njëherësh: tkurrja e eksporteve, kostot e larta të prodhimit, mungesa e fuqisë punëtore dhe zhvlerësimi i euros.
Shifrat tregojnë një realitet shqetësues. Industria e manifakturës, e cila dikur punësonte rreth 65 mijë persona, sot ka mbetur me afërsisht 40 mijë punonjës, ndërsa afro 150 njësi fasonerie kanë ndërprerë aktivitetin e tyre gjatë viteve të fundit.
Të lidhura
None found
Sipas Florian Zekja, kryetar i Shoqatës “Manifaktura Shqiptare”, sektori ka humbur rreth 25 mijë vende pune, ndërsa eksportet kanë pësuar një rënie të ndjeshme në vlerë.
“Gjendemi në një situatë tejet të vështirë. Nga 65 mijë punonjës kemi zbritur në 40 mijë. Edhe eksportet kanë rënë, nga 1 miliard e 400 milionë euro që ishin në vitin 2023 në 960 milionë euro vitin e kaluar”, u shpreh Zekja.
Një nga goditjet më të forta për bizneset vjen nga kursi i këmbimit të euros. Luhatjet e monedhës po e bëjnë të vështirë planifikimin e prodhimit dhe, sipas sipërmarrësve, po frenojnë edhe interesin e kompanive të huaja për të nënshkruar kontrata me partnerët shqiptarë.
Për t’u përballur me kostot e larta dhe konkurrencën në tregjet ndërkombëtare, bizneset kërkojnë mbështetje për modernizimin e pajisjeve. Sipas tyre, automatizimi do të sillte rritje të produktivitetit dhe do të ndihmonte në ruajtjen e vendeve të punës.
“Një nga ndihmat që do të duhej të na ofronte qeveria është investimi në makineri dhe teknologji të reja. Për Paketën Fiskale 2027 do të ishte me vlerë të përfitonim grante”, deklaroi Agron Hyseni, sipërmarrës në Gramsh.
Një tjetër shqetësim i ngritur nga bizneset lidhet me barrën fiskale mbi pagat. Sipërmarrësit mendojnë se ulja e kësaj ngarkese do të krijonte hapësirë për rritjen e pagave dhe do ta bënte sektorin më tërheqës për punonjësit.
Për të ndalur rënien e sektorit, “Manifaktura Shqiptare” kërkon ndërhyrje në Paketën Fiskale 2027. Gjashtë propozime janë hedhur në tryezë: ulja e kostos së punës, rritja e amortizimit fiskal, tarifa më të ulëta doganore për lëndët e para, lehtësira për fitimin e riinvestuar, si dhe një fond i posaçëm për teknologjinë dhe automatizimin.
Sektori i manifakturës, i cili prej vitesh renditet ndër punëdhënësit dhe eksportuesit kryesorë të vendit, po kalon një periudhë të vështirë. Sipërmarrësit kërkojnë masa konkrete për të frenuar mbylljen e fasonerive dhe për të mbrojtur vendet e punës.







