Fabrizio Ravanelli ka vlerësuar në mënyrë të veçantë Edon Zhegrovën, duke e përshkruar futbollistin kosovar si një “fenomen” me aftësi për të bërë diferencën te Juventusi.
Të lidhura
None found
Ish-sulmuesi i klubit torinez ka bërë të ditur se ka zhvilluar një bisedë me Zhegrovën, të cilit i ka kërkuar të shfaqë edhe në ndeshjet e Juventusit të njëjtin nivel që tregon gjatë stërvitjeve dhe me fanellën e Kosovës.
“Fola me të dhe i thashë se është një fenomen dhe se ajo që bën në stërvitje dhe me Kosovën, duhet ta bëjë edhe në ndeshjet për Juventusin. Nëse gjen qëndrueshmëri, është lojtari më i fortë, ai vendos ndeshjet”, ka deklaruar Ravanelli.
Sipas ish-futbollistit italian, Zhegrova spikat veçanërisht në fazën ofensive, ku aftësia për të krijuar mundësi dhe për të dhënë asistimin e fundit mund të luajë rol vendimtar.
“Për mua, ai ka potencialin për 10 gola, por veçanërisht me pasimin e tij të fundit. Kur arrin në 20 metrat e fundit, bëhet shkatërrues dhe e sheh lojën qartë”, ka shtuar Ravanelli.
Ravanelli e njeh nga afër fanellën e Juventusit. Gjatë qëndrimit të tij në Torino, nga viti 1992 deri në 1996, ai realizoi 41 gola në 111 paraqitje.
Ndërkohë, Edon Zhegrova është bashkuar sërish me Juventusin pas angazhimit me Kosovën në ndeshjet e Ligës së Kombeve.
Ai ishte ndër lojtarët më të spikatur të “Dardanëve” në katër sfidat e para të grupit, ku kontribuoi me një gol dhe një asistim.




