Aktivistja Edlira Çepani, e ftuar në emisionin NOW në Euronews Albania, u shpreh se shtimi i tensioneve në protestat e ditëve të fundit vjen si pasojë e mbylljes së të gjitha rrugëve ligjore nga ana e shtetit.
Sipas saj, pas 129 ditësh presioni, arrestimesh që më vonë janë cilësuar të paligjshme dhe mungesës së mundësisë për t’u dëgjuar në dëgjesa apo referendume, reagimi i qytetarëve mund të kalojë nga hedhja e vezëve në mjete të tjera.
Të lidhura
None found
Çepani nënvizoi gjithashtu se përmbajtjen duhet ta tregojnë institucionet, jo qytetarët, kërkesat e të cilëve për ndryshimin e ligjeve dhe për reformën territoriale po injorohen vazhdimisht.
Ajo deklaroi se prej 129 ditësh qytetarët po linçohen, shahen, u bëhet presion dhe arrestohen, ndërsa në shumicën e rasteve gjykata ka dalë me vendime që i cilësojnë arrestimet si të paligjshme. Megjithatë, në të njëjtën ditë kur gjykata jep këtë vendim, policia vijon me arrestime të paligjshme, dhunon dhe i tërheq zvarrë qytetarët.
Sipas Çepanit, bëhet fjalë për njerëz që kanë provuar çdo formë të mundshme që kanë në dorë, sepse shteti nuk ua njeh të drejtën e referendumit. Ajo tha se praktikisht kjo e drejtë ekziston në letër, por nuk mund të ushtrohet dot.
Më tej, ajo shtoi se qytetarëve nuk u jepet mundësia të dëgjohen realisht në dëgjesa, ku mund të flasin me parlamentarët e tyre, si dhe nuk u lejohet as të protestojnë para parlamentit, sepse ai rrethohet që nga bulevardi deri te pjesa tjetër e rrugës së Elbasanit. Në këto kushte, sipas saj, njerëzit do të reagojnë në mënyra të tjera dhe protestat do të përshkallëzohen.
Çepani paralajmëroi se më pas shfaqet një problematikë që nuk e kontrollon dot askush, duke e cilësuar këtë si një përshkallëzim të formës më të butë të protestës, e cila mund të kalojë nga vezët në mjete të tjera dhe në dhuna të tjera. Ajo theksoi se tani diskutohet nëse kjo është mirë apo jo, por të gjithë e dinë që nuk është mirë. Megjithatë, nuk mund të pritet maturi nga qytetarët që e kanë treguar deri tani në mënyrën më të mirë të mundshme, sepse maturinë duhet ta tregojnë institucionet.
Ajo pyeti se si mund ta tregojnë maturinë institucionet kur qytetarët prej katër muajsh, jo vetëm me protestën, por edhe shumë më përpara, kërkojnë rishikimin e disa ligjeve që i konsiderojnë si tërësisht të padrejta.
Sipas saj, qytetarët ua kanë thënë dhe ua kanë sjellë problematikat, por institucionet nuk i prekin fare dhe nuk i rishikojnë ato, ndërsa gjysma e qytetarëve janë ngritur për reformën territoriale.
Çepani u shpreh se institucionet i dëgjojnë qytetarët, pastaj u thonë të bëjnë si duan, se shteti do të bëjë si të dojë, dhe presin që qytetarët të komunikojnë në mënyrën e duhur.
Në mbyllje, ajo theksoi se kur nuk lihet asnjë formë komunikimi nga ato që parashikon ligji, ka ndodhur në raste të tjera nëpër botë që situatat të kenë eskaluar shumë më tepër, deri aty sa politikanët janë kapur dhe hedhur në koshat e plehrave. Ajo uroi dhe shpresoi që kjo gjë të mos ndodhë, sepse punon me kolegët në parlament dhe do t’i vinte shumë keq t’i shihte në situata të tilla.
