Ish-deputeti i Partisë Demokratike, Ervin Salianji, ka ngritur akuza për projektin e rrugës Milot-Balldren, të cilin e ka cilësuar si një tjetër skandal të qeverisë.
Sipas tij, shtimi i kostos së projektit me rreth 100 milionë euro duhet të tërheqë vëmendjen e SPAK-ut. Salianji kërkon që hetimi të zhvillohet përpara se paratë publike të shpenzohen dhe gjurmimi i tyre të vështirësohet apo të bëhet i pamundur.
Të lidhura
None found
Ai kërkon verifikimin e plotë të kontratës, procedurave të ndjekura, vendimmarrjes, përfituesve dhe çdo pagese të dalë nga buxheti i shtetit.
“Milot-Balldren është një skandal i qeverisë, me një rritje thuajse 100 milionë euro që duhet të hetohet menjëherë nga SPAK-u”, shprehet Salianji.
Ish-deputeti nënvizon se, kur bëhet fjalë për qindra milionë euro, hetimi duhet të nisë paraprakisht dhe jo pasi fondet të jenë shpërdoruar. Sipas tij, në rast dyshimesh për abuzim me paratë e shqiptarëve, ndërhyrja e SPAK-ut duhet të jetë e menjëhershme.
Salianji thekson se duhet të ndiqet çdo element i çështjes, nga kontrata dhe procedurat te vendimmarrësit, përfituesit, të cilët, sipas tij, janë nën hetim nga SPAK-u, si dhe çdo qindarkë e paguar nga buxheti.
“Nuk duhet të ketë hetim vetëm pasi paratë të jenë zhdukur”, shprehet ai, duke ngritur edhe pyetjen nëse përgjegjësia mund të ketë vlerë pasi pasuria të jetë shpërndarë dhe nëse drejtësia është efektive kur gjithçka është kthyer në një fakt të kryer.
Ervin Salianji kërkon që projekti Milot-Balldren të zbardhet plotësisht dhe që çdo person përgjegjës, nëse faktet provojnë abuzime, të përballet me drejtësinë.
Ai shton se paratë publike nuk mund të trajtohen si pasuri për t’u ndarë dhe se kushdo që ka abuzuar me to duhet të japë llogari para drejtësisë.
