Një raketë, ende e paidentifikuar, ka goditur një anije cisternë që lundronte në Ngushticën e Hormuzit, duke shkaktuar dëmtime në dhomën e motorit.
Të lidhura
None found
Ngjarja u raportua të hënën nga Organizata Britanike e Sigurisë Detare (UKMTO), e cila nuk dha detaje për momentin kur ndodhi sulmi.
UKMTO njoftoi se të gjithë anëtarët e ekuipazhit janë të sigurt dhe se nuk ka raportime për viktima. Deri tani, autoritetet nuk kanë evidentuar as ndonjë ndotje apo pasojë mjedisore të lidhur me incidentin.
Vlerësimi i situatës nga autoritetet detare ka nisur, ndërsa ende nuk dihen rrethanat e plota të sulmit dhe burimi i raketës. Ngushtica e Hormuzit është një korridor kyç për transportin ndërkombëtar të naftës dhe gazit, por pas nisjes së luftës së SHBA-së dhe Izraelit ndaj Iranit, ky i fundit vendosi të bllokonte rrugën detare. Në përgjigje, Amerika vendosi një bllokadë në të gjitha portet iraniane.
Goditja ndodhi në një hapësirë detare që prej kohësh monitorohet nga komuniteti ndërkombëtar për shkak të tensioneve të larta dhe rrezikut të përshkallëzimit të konfliktit. Hetimet e mëtejshme pritet të sqarojnë se si ndodhi sulmi dhe kush mban përgjegjësi për të.
