Dy persona kanë ndërruar jetë, ndërsa një tjetër rezulton i zhdukur pas reshjeve të fuqishme dhe përmbytjeve që kanë përfshirë Katalonjën në Spanjë.
Ekipet e emergjencës janë angazhuar në operacionet e kërkimit dhe shpëtimit në zonat më të dëmtuara, ndërsa autoritetet lokale kanë konfirmuar viktimat.
Të lidhura
None found
Salvador Illa, udhëheqësi i Katalonjës, bëri të ditur se një burrë humbi jetën në Tordera, në veri të Barcelonës, pasi një mur u rrëzua për shkak të kushteve të këqija atmosferike.
Viktima tjetër u regjistrua në komunën e Montornès del Vallès. Paralelisht, kërkimet për një person të zhdukur po zhvillohen në Pineda de Mar, rreth 52 kilometra në veri të Barcelonës.
Intensiteti i reshjeve ka shkaktuar vërshime në disa zona, duke bllokuar rrugët dhe tërhequr automjete nga uji. Shërbimet e emergjencës janë vënë në gatishmëri, ndërsa qytetarëve u është kërkuar të tregojnë kujdes dhe të mos afrohen në zonat e përmbytura.
Përmbytje edhe në pjesë të tjera të Spanjës
Pasojat e motit ekstrem janë ndier edhe në zona të tjera të Spanjës. Në Madrigueras, në pjesën qendrore të vendit, reshjet e dendura të përqendruara në një kohë të shkurtër shkaktuan përmbytje të mëdha.
Një grua 102-vjeçare humbi jetën pasi uji përfshiu banesën e saj në katin përdhes. Ndërkohë, ekipet e emergjencës arritën të shpëtonin rreth 90 persona.
Autoritetet spanjolle po ndjekin situatën, ndërsa ekipet e shpëtimit vijojnë kërkimet për personin e zhdukur në Katalonjë.
