Forcat ushtarake të qeverisë jemenase, e cila gëzon mbështetjen e Arabisë Saudite, njoftuan se kanë ndërmarrë sulme ndaj Houthi-ve në kryeqytetin Sanaa dhe në provincën Saada, që konsiderohet bastion i rebelëve pro-iranianë.
Të lidhura
None found
Televizioni Al Masirah, i lidhur me Houthi-t, e përshkroi operacionin si një “sulm saudit” ndaj Sanaa-s. Arabia Saudite nuk ka dhënë ende një konfirmim për këto raportime.
Përshkallëzimi vjen pasi Houthi-t deklaruan të shtunën se kishin hedhur raketa balistike dhe kishin përdorur dronë kundër objekteve të kompanisë së naftës Saudi Aramco në Riad. Sipas një gazetari të AFP-së, një prej impianteve të Aramco-s në jug të kryeqytetit saudit u përfshi nga flakët.
Pas marrëveshjes së armëpushimit të vitit 2022, e arritur mes koalicionit që mbështet qeverinë e Jemenit të njohur ndërkombëtarisht dhe Houthi-ve, pjesa më e madhe e luftimeve u ndërpre. Por tensionet në rajon kanë rikthyer përplasjet gjatë kësaj vere, ndërsa në javët e fundit ato janë intensifikuar, duke e çuar vendin sërish drejt luftës.
Në shtator, rebelët Houthi morën nën kontroll disa zona përgjatë bregdetit të Jemenit në Detin e Kuq. Ky zhvillim forcoi pozitat e tyre në ngushticën strategjike Bab el-Mandab, përmes së cilës Evropa lidhet me Azinë nëpërmjet Kanalit të Suezit.
