Qeveria e Kosovës ka konstatuar se iniciativa e Partisë Demokratike të Kosovës për ndryshimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar nuk has në pengesa ligjore.
Të lidhura
None found
Ky qëndrim është miratuar më 2 tetor dhe, së bashku me vlerësimin e ekzekutivit, i është përcjellë Kuvendit të Kosovës.
PDK-ja, përmes kryetarit të saj Bedri Hamza, ka kërkuar që ndryshimet ligjore të kalojnë në dy lexime. Sipas tij, pas përfundimit të këtij procesi, partia është e gatshme të angazhohet për gjetjen e një zgjidhjeje lidhur me zgjedhjen e presidentit.
“Kërkesa e PDK-së ka qenë dhe mbetet që ligji të miratohet përfundimisht në dy lexime. Pas kësaj, në të njëjtën ditë dhe në seancën e radhës, jemi të gatshëm të ulemi, të gjejmë zgjidhje për presidentin dhe të votojmë për të”, ka deklaruar Hamza.
Ndërkohë, veprimtari dhe publicisti Saim Tahiraj e sheh qëndrimin e PDK-së si një përpjekje për ta shndërruar çështjen e Gjykatës Speciale në kusht për një marrëveshje politike me Vetëvendosjen.
Sipas tij, protestat, deklaratat dhe reagimet emocionale të qytetarëve po përdoren nga kjo parti si kapital politik dhe si mënyrë për të zgjeruar bazën e saj elektorale.
Tahiraj e konsideron këtë një kalkulim politik dhe thekson se qytetarët kanë nevojë për më shumë transparencë dhe përgjegjësi nga subjektet politike.
“PDK-ja po e lidh mbështetjen për zgjedhjen e presidentit me votimin e ndryshimeve në Ligjin për Gjykatën Speciale, me qëllim që të arsyetojë përfshirjen në një koalicion me VV-në.
Në të njëjtën kohë, ajo po përpiqet që protestat, deklaratat dhe veprimet e tjera politike t’i kthejë në përfitim politik dhe në mundësi për të rritur elektoratin.
Kështu, një çështje shumë e ndjeshme për shoqërinë kosovare po përdoret në pazaret politike të momentit.
Kjo është ajo që në PDK e quajnë ‘moral politik’.
Kur drejtësia vendoset si kusht për marrëveshje politike dhe emocionet e qytetarëve shfrytëzohen për interesa partiake, kemi të bëjmë me manipulim të masës dhe të ndjenjave të saj.
Qytetarët meritojnë transparencë dhe përgjegjësi politike, e jo kalkulime që paraqiten si parime”, deklaroi Tahiraj për “Bota sot”.
