Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Korçë kanë nisur procedim penal në gjendje të lirë ndaj dy shtetaseve, të dyshuara për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”.
Bëhet fjalë për shtetasen X., 57 vjeçe, mjeke në pavijonin e Pediatrisë në Spitalin Rajonal të Korçës, si dhe shtetasen K., 60 vjeçe, drejtoreshë e kopshtit ku qëndronin fëmijët e dërguar më pas në spital.
Të lidhura
None found
Procedimi u regjistrua pasi gjatë pasdites së djeshme dhe ditës së sotme në spital janë paraqitur gjashtë fëmijë nga i njëjti kopsht, të cilët kishin shfaqur simptoma të njëjta gastrointestinale. Sipas policisë, mjekja nuk ka bërë njoftimin e Policisë për rastin.
Drejtoresha e kopshtit dyshohet se nuk ka përmbushur detyrimet e saj funksionale për kontrollin dhe verifikimin e ushqimit të konsumuar nga fëmijët.
Materialet procedurale do t’i kalojnë Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Korçë, për vijimin e veprimeve të mëtejshme.
