Organizatorët e protestës “Jo në emrin tim” kanë ndërmarrë një aksion simbolik përpara Kuvendit të Kosovës, ku kanë vendosur një baner me emrat e të gjithë deputetëve. Përmes këtij veprimi, ata u kanë kërkuar ligjvënësve të votojnë ligjin për Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës.
Të lidhura
None found
Sipas tyre, miratimi i ligjit për UÇK-në duhet të renditet ndër çështjet kryesore të Kuvendit të Kosovës. Organizatorët i kanë ftuar deputetët të reflektojnë dhe të ndërmarrin hapat e nevojshëm për ta çuar përpara votimin e nismës.
Çlirim Haziri deklaroi se deputetët shqiptarë kanë një detyrim ndaj UÇK-së dhe sakrificës së dëshmorëve, mbi të cilën, sipas tij, janë ngritur institucionet e Kosovës.
“UÇK-ja nuk është e partive politike, UÇK-ja është e popullit. Ju jeni deputetë të zgjedhur prej popullit dhe keni obligim moral, kombëtar dhe ligjor ndaj popullit të Kosovës të reflektoni për kërkesat e tyre. UÇK-ja nuk duhet të jetë një temë sekondare për Parlamentin e Kosovës, duhet të jetë në prioritetet e deputetëve tanë”, ka thënë Haziri.
Edhe pse në baner janë renditur të gjithë deputetët e Kuvendit, organizatorët kanë bërë ndarje mes përfaqësuesve shqiptarë dhe deputetëve të komunitetit serb. Për këta të fundit, ata kanë deklaruar se nuk presin mbështetje për këtë nismë.
