Deputeti i VV-së, Agim Bahtiri, ka shprehur mbështetjen e tij për vendimin e Qeverisë Kurti lidhur me nisjen e procedurave për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara.
Të lidhura
None found
Sipas Bahtirit, kjo nismë synon të adresojë gabimet e së kaluarës dhe t’u dalë në mbështetje ish-krerëve të UÇK-së. Ai gjithashtu u ka bërë thirrje qytetarëve që të shmangin përçarjet dhe të ruajnë unitetin.
“E përkrah fuqimisht miratimin e vendimit nga Qeveria Kurti për Nismën legjislative për ‘Projektligjin Nr. 11/L- 001 për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit Nr. 05/L-053 për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar’”, ka shkruar Bahtiri.
Ai ka deklaruar se kryeministri Kurti po përdor të gjitha mundësitë që ka në dispozicion për të mbështetur ish-krerët e UÇK-së dhe për të korrigjuar, siç është shprehur, gabimet e rënda të bëra më herët nga persona të tjerë. Bahtiri ka theksuar se Kurti u kishte kërkuar atyre të mos ndërmerrnin veprime që mund të sillnin pasoja kombëtare.
“Kur të tjerët nxitonin e nënshkruanin pa menduar për pasojat kombëtare, u krijua një padrejtësi që sot rëndon”, ka thënë ai.
Bahtiri u ka bërë thirrje qytetarëve që të mos lejojnë ndarje të panevojshme, duke vlerësuar se vetëm përmes bashkimit mund të mbrohet e vërteta e vendit. Sipas tij, përçarja e qytetarëve i shërben armikut, ndaj ai ka kërkuar krijimin e një qëndrimi të përbashkët dhe të fortë që askush të mos mund ta thyejë.
