Partizani merr sërish barazim në ndeshjen miqësore kundër Besëlidhjes.
Partizani ka luajtur dy ndeshje miqësore këtë javë, fillimisht kundër Kastriotit dhe të premten kundër Besëlidhjes, ku në të dy rastet ka marrë vetëm dy barazime.
As pas takimit kundër Kastriotit e as pas sfidës kundër lezhjanëve, trajneri Ilir Daja nuk ka preferuar të flasë për mediat.
Kundër Kastriotit, ishte e kuptueshme, pasi ishte një test për lojtarët e rinj të skuadrës, por pas takimit kundër Besëlidhjes, pritej një deklaratë e trajnerit të kuq, por që ka munguar sërish.
Tashmë, trajneri i Partizanit do të fokusohet te faza përgatitore që do të bëhet në Ohër, si dhe te merkatoja, ku duhet të bashkëpunojë me drejtorin e përgjithshëm, Olsi Rama, që të përforcojnë sa më shumë të jetë e mundur skuadrën, që për momentin, duket disi mbrapa sa u takon afrimeve.
Trajneri i Partizanit, Ilir Daja, erdhi vetëm dy minuta para se të niste loja. Në stolin e kuq, kishte shumë futbollistë.
Burime brenda klubit bënë me dije se do të ketë largime të futbollisteve afrikanë, pasi asnjëri prej tyre nuk ka pasur prezantime pozitive.
Loja u zhvillua e qetë. Në pankinat respektive nuk pati ndonjë gjë që mund të evidentohej.
Ajo që ra më shumë në sy në stola, ishte fakti se stoli i Partizanit ishte i mbipopulluar me futbollistë, sa disa prej tyre qëndronin edhe jashtë stolave.
Në nxehmje dolën të gjithë futbollistët e Partizanit, vetëm një minutë para nisjes, u formatua ekipi bazë./albeu.com/