Tirana pret sot Presidenten e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen, në kuadër të vizitës së saj zyrtare në Shqipëri dhe turit në vendet e Ballkanit Perëndimor. Në qendër të takimeve do të jetë procesi i integrimit europian të vendeve të rajonit.
Për shkak të vizitës, bulevardi deri pranë Kryeministrisë është bllokuar. Në zonë janë vendosur gardhe metalike, ndërsa prania e efektivëve të policisë dhe autoboteve të ujit është shtuar, siç shihet edhe në pamjet e siguruara për BalkanWeb nga gazetari Osman Stafa.
Të lidhura
None found
Sipas programit të publikuar nga Kryeministria, von der Leyen pritet të mbërrijë në zyrën e kryeministrit Edi Rama rreth orës 16:30. Më pas, ajo do të zhvillojë një takim kokë më kokë me kreun e qeverisë, i parashikuar të zgjasë rreth një orë.
Në përfundim të takimit, rreth orës 17:30–18:00, Ursula von der Leyen dhe kryeministri Rama do të mbajnë një konferencë të përbashkët për shtyp. Gjatë saj pritet të publikohen detaje nga bisedimet.
Qëndrimi në Tiranë është pjesë e turit të Presidentes së Komisionit Europian në katër vende të Ballkanit Perëndimor, ku fokusi kryesor është përparimi i procesit të integrimit europian.
