Agron Shehaj, lideri i Partisë Mundësia, po intensifikon përgatitjet për zgjedhjet vendore të pranverës së vitit 2027, teksa deklaron se formacioni i tij politik do të arrijë fitore me përfaqësuesit e vet në të gjitha Këshillat Bashkiakë në mbarë vendin.
Ai ka publikuar foto nga mbledhja me bazën e partisë në Degën 5 të Tiranës, ku morën pjesë edhe deputeti Erald Kapri dhe Sekretarja e Përgjithshme Barbara Doda.
Të lidhura
None found
Shehaj theksoi se me vendosjen e përfaqësuesve të Mundësisë në çdo Këshill Bashkiak, do të shënohet nisja e një epoke të re për një Shqipëri më të barabartë.
“Forca jonë politike do të ketë prani në çdo Këshill Bashkiak. Ka ardhur koha për një mentalitet ndryshe, për një Shqipëri që ofron drejtësi dhe mundësi për të gjithë”, u shpreh ai.
Gjatë fjalës së tij, Shehaj shtoi: “Të nderuar miq, gjendemi këtu me Luisin, përgjegjësin e degës 5 të Tiranës për Partinë Mundësia, së bashku me aktivistët e kësaj dege. Ne jemi një forcë e re, por aspak e parëndësishme. Jemi mbledhur për të analizuar dhe për t’u organizuar përballë zgjedhjeve për Këshillin Bashkiak në Tiranë dhe më gjerë. Shumë shpejt, militantët dhe simpatizantët tanë do të zënë vend në çdo Këshill Bashkiak të Shqipërisë”.
Shehaj paralajmëroi se takimet “do të shtrihen në të gjithë Tiranën dhe në çdo cep të Shqipërisë”.
Kryetari i Mundësisë, i cili po vuan një masë përjashtimi 60-ditor nga Kuvendi, tregoi se tashmë fokusin e ka drejtuar tërësisht te organizimi për lokalet e 2027-ës, duke ironizuar me “pushimet e detyrueshme”.
“Përderisa unë, si drejtues i Partisë Mundësia, jam pezulluar nga funksioni i deputetit dhe më kanë dërguar me leje të detyruar, po i shndërroj këto ditë në seri takimesh me bazën tonë. Edi Rama, të falënderoj! Taulant, të falënderoj! Manja, të falënderoj!”, përfundoi Shehaj.
