Një adoleshent 14-vjeçar ka sulmuar me thikë një vajzë në një dyqan në Cirencester, Gloucestershire, në Britaninë e Madhe, pasi ajo kishte refuzuar kërkesën e tij për një takim.
Të lidhura
None found
Sulmi ndodhi në mëngjesin e 15 marsit. Në gjykatë u paraqitën të dhëna sipas të cilave 14-vjeçari, i cili ishte shok shkolle me vajzën, ishte fiksuar pas saj. Pas refuzimit të afrimeve të tij në dhjetor 2025, ai kishte hapur llogari të rreme në rrjetet sociale për t’i dërguar mesazhe.
Regjistrimet e kamerave të sigurisë tregojnë se adoleshenti iu afrua vajzës qetësisht, përpara se ta godiste disa herë me thikë. Një punonjës i dyqanit tentoi të ndërhynte dhe ta largonte nga vajza, por agresori e goditi edhe atë në shpinë.
Në një tjetër pjesë të pamjeve, vajza shfaqet duke vrapuar nëpër dyqan, ndërsa 14-vjeçari e ndjek, ende me thikën në dorë. Ajo mundi të dilte jashtë dhe kërkoi ndihmë në një banesë pranë dyqanit.
Vajza mori plagë në qafë, duar e fytyrë, si edhe dëmtime në shpinë. Pas ngjarjes, adoleshenti u largua, por policia e ndaloi pak më vonë në afërsi të zonës. Gjatë kontrollit, në xhepin e pantallonave iu gjet një thikë.
Për shkak të moshës dhe arsyeve ligjore, identiteti i 14-vjeçarit nuk mund të bëhet publik. Në gjykatë u tha se ai kishte pranuar fajësinë për plagosje me dashje, shkaktim të dëmtimeve të rënda trupore pa dashje dhe mbajtje të një arme të ftohtë në një vend publik.
Gjykata e dënoi me një urdhër referimi me kohëzgjatje 12 muajsh, si dhe me një urdhër ndalimi kontakti për tre vjet.
Në deklaratën e saj drejtuar gjykatës, vajza tha se që prej sulmit jeton me frikë dhe se trembet edhe kur njerëzit bëjnë lëvizje të papritura.
Ajo shtoi se përjeton vazhdimisht makthe lidhur me sulmin dhe se ngjarja ka ndryshuar mënyrën se si lëviz dhe sa e sigurt ndihet në zonën ku banon.
“Jam e frikësuar dhe nervoze kudo që shkoj”, deklaroi vajza.
Detektivi Ian Fletcher, i cili drejton hetimet për çështjet serioze dhe komplekse në policinë e Gloucestershire, e përshkroi ngjarjen si një sulm të dhunshëm të kryer në mes të ditës.
Ai deklaroi se vajza kishte qenë “shumë, shumë me fat” që kishte shpëtuar me plagë të cilësuara të lehta, pasi sulmi mund të kishte marrë një përfundim fatal.
