Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit ka deklaruar se çdo vendim i ardhshëm lidhur me Dhomat e Specializuara duhet të mbështetet nga një konsensus i gjerë shoqëror dhe nga përfshirja e të gjitha institucioneve.
Të lidhura
None found
Teksa u pyet për nismën që synon ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara, Kusari-Lila tha se për këtë çështje duhet të krijohet bashkëpunim ndërmjet institucioneve dhe subjekteve politike.
Ajo sqaroi se aktualisht flet në cilësinë e ministres dhe jo të deputetes, por theksoi se hapat e ardhshëm duhet të jenë rezultat i një konsensusi të gjerë shoqëror dhe të shqyrtohen me kujdes nga pikëpamja ligjore. Sipas saj, përpjekjet duhet të synojnë edhe rritjen e mundësisë për lirimin e plotë të katër krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës që po mbahen në Hagë.
Kusari-Lila vlerësoi se kjo kërkon angazhim të plotë në të gjitha nivelet, duke përfshirë partitë që deri tani kanë qenë në opozitë, qeverinë dhe Kuvendin me shumicën e tij, në mënyrë që mbështetja për këtë proces ligjor, të cilin e cilësoi shumë sfidues për vendin, të çojë në sukses.
Një ditë më parë, Partia Demokratike e Kosovës e dorëzoi në Kuvend Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar.
Lëvizja Vetëvendosje deklaroi se nismën do ta analizojë nga këndvështrimi juridik, duke përfshirë përputhjen e saj me kornizën ligjore në fuqi dhe ndikimin që një ndërhyrje e tillë mund të ketë në procedurat pranë Dhomave të Specializuara.
