Pamjet e kamerave të sigurisë që fiksojnë çastet e fundit të Nicolai Palamarciuc, një shitës me origjinë moldave i rrahur për vdekje nga shefat e tij në një zonë industriale të lagjes Başakşehir në Turqi, janë bërë publike.
Të lidhura
None found
Ngjarja tronditëse ndodhi në shtator të vitit 2025. Palamarciuc, baba i dy fëmijëve, sipas dyshimeve u akuzua për vjedhje dhe u përball me dhunën e punëdhënësve, të cilët më pas e çuan në një ambient pa kamera sigurie.
Në video shfaqen katër persona, përfshirë pronarët e kompanisë ku viktima punonte. Ata e godasin, e rrëzojnë në dysheme dhe e shtyjnë me forcë drejt një ashensori që e çon në një dhomë pa mbikëqyrje me kamera.

Sipas dosjes së çështjes, në atë dhomë Palamarciuc u rrah dhe u torturua për një periudhë të gjatë. Hetuesit dyshojnë se autorët u përpoqën ta detyronin të pranonte vjedhjen, e cila mendohet se i ishte ngritur si kurth.
Ekspertiza mjeko-ligjore konstatoi se shkaku i vdekjes ishte mungesa e oksigjenit, e shkaktuar nga presioni i ushtruar në gjoks dhe qafë.

Në lidhje me këtë rast janë arrestuar gjithsej tetë persona. Gjatë marrjes në pyetje, të dyshuarit kanë fajësuar njëri-tjetrin për atë që ndodhi.
Nëna e viktimës u ka treguar mediave turke se i biri e kishte telefonuar pak para sulmit dhe i kishte thënë se nuk ndihej mirë e se diçka po ndodhte në vendin e punës.

“Djali im duhet ta ketë kuptuar se diçka nuk shkonte atë ditë, sepse më telefonoi. Më tha: ‘Mami, ndihem shumë keq, diçka po ndodh në punë. Të gjithë po diskutojnë për diçka, po më shikojnë’”, ka rrëfyer ajo.
Ajo shtoi se frika e të birit u bë realitet, pasi ai u sulmua papritur dhe u dërgua në një vend pa kamera.

“Tre persona po e rrihnin dhe ranë mbi të, duke i shkaktuar fraktura në gjoks. Nipërit e mi mbetën pa baba”, tha nëna e Palamarciuc.
