Vora dhe Skënderbeu e mbyllën në barazim 1-1 përballjen e javës së pestë të “Abissnet Superiore”. Pas takimit të luajtur në Vorë, trajneri i skuadrës korçare, Julian Ahmataj, analizoi paraqitjen e ekipit të tij.
Të lidhura
None found
“Është e vërtetë që nuk zhvilluam ndeshjen tonë më të mirë dhe Skënderbeu nuk arriti të luante gjatë gjithë kohës si në minutat e fundit. Terreni pati ndikim të madh. Ne stërvitemi në një fushë me bar sintetik dhe ndryshimi i sipërfaqes pritej të na krijonte probleme. Nëse e shikoni me kujdes, të gjitha gabimet erdhën për shkak të fushës. Deri diku u stabilizuam, por dihej se ky ishte problemi ynë”, deklaroi Ahmataj.
“Nëse kthehemi te pesë minutat e fundit të pjesës së parë, aty ndërtuam aksione që mund t’i kishim realizuar që nga fillimi. Këtë ndikim mund t’ia faturoj fushës, por edhe atmosferës disi të zjarrtë. Pikërisht këtë lojë kërkonim të ndërtonim, megjithatë nuk i përdorëm sa duhej hapësirat që do t’u shërbenin lojtarëve të krahut”, shtoi ai.
Sa i përket strategjisë, tekniku i korçarëve u shpreh: “Kishim mundësi të mos i ngrinim lart mbrojtësit e krahut, në mënyrë që të mos ekspozoheshim, por edhe të rrezikonim më shumë. Duhej të ruanim ekuilibrin.”
